Kjo sallë e sportit është ndërtuar në vitin 2009/2010 në oborrin e shkollës fillore të fshatit Zajaz, Kërçovë. Çudia më e madhe është se askush nuk i del zot këtij ndërtimi. Salla nuk posedon asnjë dokument të vetëm, andaj edhe 14 vite që kur është ndërtuar askush nuk ka shkelur aty dhe është e pa përdorshme.
Drejtori i shkollës Naser Ismaili madje thotë se as çelësin e derës nuk e kanë.
“GAZETARJA: Ju nuk posedoni as çelësin e sallës?
DREJTORI: Jo, jo, jo nuk kemi qasje aspak me sallën e sportit.
Gazetarja : Dhe nuk posedoni asnjë dokument nga kjo sallë?
DREJTORI: Jo “
Drejtori Naser Ismaili thotë se për këto vite sa është drejtor nuk ka lënë derë pa trokitur për çështjen e sallës, por nga askush nuk ka marrë përgjigje.
“Atëherë për sa i përket sallës së sportit është e vërtetë se salla nuk është e përdorshme dhe nuk ka derë që drejtoria nuk ka trokitur për sa i përket sallës. Në Komunë, në Ministri të Arsimit, në Agjencinë për Rini dhe Sport dhe akoma nuk kemi përgjigje dhe presim ndonjë përgjigje të mund të fillojmë ta përdorim sallën e sportit sepse për shumë pak punë qëndron e mbyllur nga viti 2009-2010”, tha Naser Ismaili-drejtor i ShFQ ”Rexhe Rushit Zajazi”.
Përgjigje nga këto institucione kërkoi TV21. Fillimisht nga Komuna e Kërçovës na thanë se ata nuk kanë dokumente të sallës, sepse investimi ka qenë nga pushteti qendror. U drejtuam te Ministria e Sportit, nga ku na thanë se ata kurrë nuk kanë ndërtuar sallë në Zajaz.
“Agjencia atë kohë ka ndërtuar sallë në Kërçovë, por jo edhe në Zajaz. Në Zajaz kemi ndërtuar stadiumin e Zajazit. Kështu që objekt që kemi ndërtuar ne nuk ka në Zajaz”, thonë nga ministria e Sportit.
Pas kësaj përgjigje ju drejtuam Ministrisë për vetëqeverisje lokale, sepse morëm informacione se dokumentet ndodhen atje, por edhe nga atje se ata nuk kanë gisht në ndërtimin në kësaj salle.
“Në bazë të të dhënave në Vendimet e publikuara të Qeverisë për financimin e projekteve nga Programi Buxhetor për Zhvillim Rajonal në vitin 2011, nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e një sallë sportive në fshatin Zajaz”, thonë nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale.
TV21 po pret përgjigje edhe nga MASH, dhe do të vazhdojë të pyet edhe institucione tjera, për ta kuptuar se si u ndërtua salla, kush e ndërtoi, pse nuk posedon asnjë dokument dhe pse nuk po vendoet në përdorim tashmë 14 vjet.