Opozita dogji karriget në Kuvend, reagon ambasadori i BE: Për të ardhur keq, nuk është mënyra për të shprehur mendimin

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka reaguar për trazirat e shkaktuara nga deputetët e opozitës dje në Kuvend. Gonzato foli në Asamblenë Parlamentare të Nismës për Europën Qendrore, e cila po zhvillon punimet në Tiranë, tha se në këtë nismë bëhen bashkë shtetet anëtare ekzistuese dhe ata që do të na bashkohen në të ardhmen.

Ai ka shprehur keqardhje për veprimet e opozitës dhe ka thënë se kjo nuk është mënyra e duhur për të shprehur mendimin.

Ambasadori i BE-së reagon ndaj dhunës së deputetëve të Partisë Demokratike dje në Kuvend.

Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra oër ta shprehur mendimin.

Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e Kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Gonzato bëri gjithashtu thirrje për tu kthyer në dialog dhe të ndalohet përshkallëzimi i situatës dhe të shmanget sulmet personale dhe verbale. /vizionplus.tv


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu