Rama bën daljen e parë publike pas operacionit

Disa ditë pasi la spitalin, ku u operua nga hernia inguinale, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur sot në një takim kryebashkiakët për të diskutuar mbi emergjencat civile.

Në daljen e parë publike pas operacionit, kreu i qeverisë u ndal përmbytjet e fundit në Vlorë dhe nuk kurseu kritikat për prefekturat që nuk kanë angazhuar kapacitetet. Sipas tij nuk mund të neglizhohet reagimi i strukturave.

“Është fakt i kohës që jetojmë që të gjitha vendet duhet të përballen në verë me zjarret në vjeshtë dimër e pranverë me përmbytje dhe natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar e ndryshon çdo vit. Kemi parë të gjithë se ç’ ndodhi në Austri, dhe pamë në ditët këtu kur u përmbyt Vlora, në Bosnje ku humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet e sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse,” the Rama.

“Ka një shpjegim shumë të thjeshtë përtej analizave popullore e tendencioze që i bëhen përmbytjeve që ka ndyshuar formacioni i reshjeve. Para disa kohës u bë spektakolare përmbytja në Dubai ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj shi rresht në Londër dhe në këto situata nuk ka infrastrukturë që të mund të absorbojë goditjen e parë, por ajo që nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivel vendor si për zjarret si për përmbytjet”, tha ai.

Sipas tij, “ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve”.

“Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj rresht shi në Londër. Nuk ka infrastrukturë sado ekselente të përballojë goditjen e parë”, theksoi Rama.

Por, kryeministri theksoi se ajo që nuk duhet neglizhuar është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet.

“Duke marrë përmbytjet, është e domosdoshme të ketë një fokus të veçantë te organizmi i strukturës, trajnimi, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës që duhet të jetë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Kur është faza e goditjes nuk ka çfarë askush, por e gjithë struktura duhet të vihet në funksion në momentin e parë të reagimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se duhet të rritet koordinimi dhe efikasiteti i ndërveprimit me strukturat e qeverisë qendrore.

Ai solli si shembull Italinë, e cila në sferën e emergjencave civile është një nga vendet e ekselencës, me një rrjet personash të gatshëm ku përfshihen edhe rezervistë.

Rama nënvizoi po ashtu domosdoshmërinë e trajnimit të personave të angazhuar në linjat e hapura të komunikimit, ku qytetarët kërkojnë ndihmë.

“Më ka dërguar një qytetare nga Vlora një komunikim me linjën e hapur. Ai komunikim do të ishte korrekt nëse situata do të ishte normale, por në rastin e përmbytjeve linjat e hapura të komunikimit janë linja solidariteti e përkujdesjeje për t’i qëndruar afër personit që po të merr që është deri në gjunjë në ujë brenda shtëpisë. Edhe në këtë aspekt duhet bërë punë”, tha Rama. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu