Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka gënjyer mërgatën shqiptare gjatë takimeve me ta.
Sipas Haradinajt, Kurti po e viziton mërgatën vetëm në prag të zgjedhjeve, duke shtuar se ai është dashur t’ua sqaronte se së bashku me Listën Serbe “i kanë përjashtuar luftëtarët e lirisë nga pagat që i meritojnë”.
“Albin Kurti, që nuk mbahet mend ta ketë vizituar diasporën ndonjëherë, të paktën deri tash që janë afruar zgjedhjet, do të duhej ta thoshte të vërtetën e plotë për Kosovën. T’u thoshte bashkëkombësve tanë se ai dhe qeveria e tij e kanë lënë pa bukë Ushtrinë e Kosovës; sepse i kanë vjedhur rezervat ushqimore, miell e vaj, që vendit i duhen në kohë krize”, ka thënë Haradinaj në Facebook.
Deputeti i AAK-së ka shtuar se janë edhe 1001 të vërteta të dhimbshme që Albin Kurti s’i ka përmendur në takim me diasporën.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar të dielën se Kurti ka zhvilluar takime në Koln me bashkatdhetarë. Në komunikatë u tha se kanë diskutuar për rolin e mërgatës, arritjet dhe sfidat në avancimin e Kosovës.
“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj”, është shprehur Kurti, thuhet në komunikatë.