Qeveria e Shqipërisë ka miratuar vendimin që rrit pagat e personelit të Forcave të Armatosura.
Nga ky vendim përfitojnë shtesë në paga rreth 6.000 efektivë të FA, prej të cilëve 2.500 efektivë e marrin atë për herë të parë.
Përmes këtij vendimi synohet forcimi i kapaciteteve kombëtare dhe përmirësimin i cilësisë së shërbimeve të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë.
“Vendimi për rritjen e trajtimit financiar të efektivëve të Forcave të Armatosura është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 175/2024 pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim do t’i shtrijë efektet financiare duke filluar nga 1 janari 2025 dhe fondet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.
Rritje page do të përfitojnë thuajse të gjithë ata që shërbejnë në unifromë.
“Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si: Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar, edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili përmes një postimi në Facebook shkruan se me këtë vendim hidhet një hap i rëndësishëm për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve shqiptarë.
“Me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit për rritjen e trajtimit financiar për rreth 6 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, hedhim një hap të rëndësishëm për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve tanë krahasuar me vendet e rajonit. Duke filluar nga 1 janari 2025 edhe 2.500 efektivë të tjerë e marrin këtë shtesë për herë të parë”, shkruan Vengu.
Përmes kësaj rritjeje page, Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë shpreson që të rritet jo vetëm motivimi i efektivëve aktualë, por të shërbejë edhe si një nxitje për rekrutim, për të gjithë të rinjtë për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.