65 milionë euro për komunat, më së shumti merr Kumanova, nuk ka para për Qytetin e Shkupit, Strumicës, Tearcës dhe Sarajin

Me 65 milionë euro nga huamarrja hungareze do të realizohen 274 projekte të 77 komunave. Në listën e komunave mungojnë 4 komuna të cilat i udhëheq opozita. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Strumica u refuzua sepse në konkurs është paraqitur me projekt që tashmë ka qenë në tender. Dritë jeshile nuk mori as Qyteti i Shkupit. Sipas Mickoskit, ata kishin projekte për blerjen e autobusëve duke shtuar se Shkupi ka mjete nga qeveria që tashmë dy vjet nuk i ka realizuar-rreth 10 milionë euro për rrugën Hasan Prishtina.

“Më tutje, komuna e Tearcës që ka dorëzuar projekte përmes adresës private elektronike. E thërras kryetarin që të veprojë si 79 kryetarët e tjerë, ka mënyrë se si të realizohet kjo. Kemi dokumentacion të paplotë nga komuna e Sarajit dhe pres që deri më 10, 15 nëntor edhe kjo të hiqet”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Në thirrjen e parë janë parashikuar 100 milionë euro për komunat. Më shumë mjete, 240 milionë denarë mori Kumanova për ndërtimin e zonës industriale. Thirrja e dytë do të publikohet në janar, por opozita nuk pajtohet me shumën e ulët që u nda tani.

“Atë që e shohim për momentin dhe pas vendimit të qeverisë për shpërndarjen e mjeteve për komunat nga huamarrja e Hungarisë, është një gënjeshtër e madhe. Përkatësisht, u janë dhënë vetëm 65 milionë euro komunave për realizim të projekteve me të cilat aplikuan në thirrjen e qeverisë”, u shpreh Mile Taleski nga LSDM.

Përndryshe, marrëveshjet me komunat pritet që të nënshkruhen javën e ardhshme. Nga Ministria e financave njoftojnë se nesër paratë e huamarrjes hungareze do të transferohen në xhirollogarinë e buxhetit të shtetit. Ndërkohë, tashmë ka filluar procedura për tërheqjen e 500 milionë eurove prej miliardit nga Hungaria që do të shfrytëzohen në janar për të paguar eurobondin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu