Mbledhje e Komisionit të Historisë në Shkup, takimi i par pas ndryshimit të përbërjes qeveritare

Komisionet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje historike dhe arsimore janë mbledhur në Shkup. Ky është takim i parë i përbërjes së re të ekipit të Maqedonisë së Veriut me kolegët e palës bullgare. Para fillimit të takimit kryetari i komisionit bullgar, Angell Dimitrov i pyetur se çfarë pret nga takimi tha se ende nuk i njeh anëtarët e rinj të komisionit. Takimi i fundit i komisionit të përbashkët është mbajtur më 30 dhe 31 maj në Sofje, ndërkaq mbledhja e planifikuar në Shkup për më 18 dhe 19 shtator u anulua me kërkesë të palës së Maqedonisë.

Përbërja e re e ekipit të vendit u zgjodh nga Qeveria më 10 shtator. Kryetar i ri është profesori i Fakultetit Filozofik të Shkupit, Vanço Gjorgjiev, ndërkaq anëtarë janë edhe Aleksandar Litovski, Nikolla Minov, Sasho Dodevski, Besnik Emini dhe Dimitar Llorovski.

Një ditë para takimit, në Ministrinë e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Komisioni u prit nga ministri Timço Mucunski, i cili para anëtarëve tha se është në dispozicion për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet për të vazhduar pa penguar me aktivitetet. Sipas Mucunskit, vendimet dhe diskutimet në kuadër të komisionit duhet të udhëhiqen në bazë të argumenteve shkencore, me qëllim të respektimit të lirisë akademike. Sipas kumtesës së Ministrisë, Mucunski tha se theksuar se angazhohet personalisht për pavarësi në vendimmarrjen e komisionit, pa trysni dhe ndërhyrje politike.

Ky komision i përbashkët është formuar si rezultat i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila u nënshkrua në gusht të vitit 2017-të mes kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Deri më tani, Komisioni ka miratuar rekomandime për nderim të përbashkët të pesë figurave historike, edhe atë, vëllezërit Kiril dhe Metodin, Shën Naumin e Ohrit, Shën Klimentin e Ohrit dhe Car Samoilin. Gjithashtu, Komisioni ka dhënë dhe pesë rekomandime për ndryshime në librat e historisë për klasën e gjashtë në Maqedoni dhe klasën e pestë në Bullgari. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu