Pas kryeparlamentarit, edhe kryeministri Albin Kurti kritikoi ashpër Bashkimin Europian. Gjatë një konference për shtyp, shefi i qeverisë tha se kryeministri nuk formon asociacione, por u takon komunave që ta bëjnë këtë.
Ai sinjalizoi se nuk mund të ecet përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë pa dorëzuar kryeterroristin Milan Radoiçiç dhe pa tërhequr letrën mohuese të paktit nga Beogradi.
“Nuk formon kryeministri Asociacione por Komunat. Nëse Asociacioni i imponuar nga lart e nga larg nuk është Asociacion. Ofrova të nënshkruaj draft statutin për Asociacionin disa herë por nuk pranuan.
Kërkoj ta nënshkruaj marrëveshjen bazike, pa e dorëzuar Radoiçiçin dhe pa e tërhequr letrën e Bërnabiç nuk e di çfarë draft statusesh mund të shkruajë dikush, jo unë por dikush. Mos e nxjerri qerren para kuajve”.
MASAT NDËSHKUESE NGA BE: Kosova nuk ka asnjë faj për eskalimin e situatës në vitin 2023. Ishin ato banda kriminale e turma fashiste që lënduan policë, ushtarë të KFOR e gazetarë. Gjithë ajo çfarë ndodhi në veri vitin e kaluar tregon se burim është nga Serbia si shtet madje as nga serbët e Kosovës. Ofruam mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore por i bojkotuan. Tani zgjedhjet e ardhshme lokale janë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
ORGANI LIGJOR NGA SERBIA PËR KOSOVËN: Është edhe një veprim armiqësor e agresiv ndaj Kosovës dhe e kemi thënë edhe e përsërisim por besoj kjo pyetje duhet ti adresohet miqve e aleatëve ndërkombëtarë. Çka thotë populli e institucionet e Kosovës e dinë të gjithë po duam përgjigje me saktësi nga ndërkombëtarët që na kanë mbështetur e duhet të na mbështesin pasi Kosova po vazhdon të sulmohet nga fqinji verior.
TAKIMET E DIALOGUT PA REZULTATE: Nuk është mirë të thuhet po dështojnë, pse po dështojnë? Kosova është konstruktive. Po dështojnë për shkak të Serbisë. Kemi propozuar tre plane sekuencime e Serbia asnjë. Vetëm kushtëzime. Të përqendrohemi në shkakun e dështimit dhe aty do të gjeni Serbinë.