Haradinaj: Kurti është amater politik, ka bërë shumë gabime

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si “amater politik” kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se po tenton ta fshehë turpin e bërë gjatë qeverisjes dhe gjatë udhëheqjes së dialogut.

Haradinaj ka deklaruar për EO se sjellja e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve është joserioze, duke theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe meriton të trajtohet seriozisht.

“…Pak a shumë kjo nuk është serioze sjellja e tij, si ajo shprehja ‘as asi as ksi’. Nuk është ashtu, për fat të keq vetë qeveria e kryeministri e kanë pranuar. Është e vërtetë që ky draft nuk është i mirë, pra drafti që kemi sot propozim nga BE-ja nuk është i mirë. Ai meriton trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese. Jemi në zgjedhje dhe do që ta fshehin marren edhe ato që i kanë bërë, gabimet që i kanë bërë që e kanë udhëhequr dialogun. I kanë lutur për shumë kohë Amerika pikërisht Konjufcën, Kurtin e këtë që të japin një propozim nuk e kanë dhënë”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shtuar se Kurti nuk ka strategji në procesin e dialogut me Serbinë, e sipas tij, ka harruar rëndësinë e NATO-s.

“Fatkeqësisht tash kemi propozime të BE-së, këta po dëshirojnë që të fshehin këtë faj është faji i tyre realisht. Kurti nuk e ka kuptuar, nuk ka strategji të vetën, ai nuk është strateg, ai shihet që është një amator në politikë. Ai i ka mbivlerësuar këtë fitore ditore për shkak të pak votave i ka harruar sa e rëndësishëm është NATO, çka do të thoshte për Kosovën sikur të anëtarësoheshim në NATO. Do të zgjidhej çështje e sigurisë e rendi dhe ligjit në gjithë Kosovën e në veri, do ta bënim një kthesë të madhe ekonomike, politike gjithanshme. Gjitha këto zgjedhje të tij kanë shkaktuar shumë pasoja, përfshirë edhe sanksionet”, është shprehur Haradinaj.

Javë më parë, Haradinaj e kishte akuzuar Kurtin për spiunazh dhe tradhti ndaj Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu