Aleanca për shqiptarët ka nisur me tubime partiake, me moton “Kuvendojmë me shqiptarët”. Kreu i kësaj partie Ziadin Sela në fjalimin e tij kritikoi faktorin shqiptar në Qeveri, se vetëm po legjitimon, siç i quajti politikat anti-shqiptare të VMRO-DPMNE.
“Erdhën në skenën politike me anti-shqiptarizëm, duke mbajtur një fushatë të tërë se do të heqin balanceusin, të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, e tjerë, e tjerë, dhe sot po i realizojnë. Faktori politik shqiptar në Qeveri nuk bën asgjë. Përkundrazi legjitimon dhe relativizon të keqën e cila na kanoset si komb”, deklaroi Ziadin Sela – ASH.
Sela tha se nëse vazhdimisht shkelet legjitimiteti, shqiptarët do të përfundojnë në mëshirën e mirë ose të keqe të Mickoskit, Petkos apo Trajkos. Sipas tij shqiptarët nuk ndihen të sigurt në mëshirën e këtyre njerëzve, të cilat siç tha edhe në vitet e 80-ta, i pamundësonin prindërit tanë që t’i emërojnë fëmijët me emra shqiptar.
“Neve na duhet sistem që ta bëjë të paprekshëm shqiptarin dhe komunitet e pakicave. E nëpërmjet gjykatës kushtetuese dhe të drejtës së përkatësisë etnike ata na kanë hequr të drejtën që ne t’i shkruajmë fëmijët tanë ashtu siç janë prindërit e tyre. Sot nuk ke të drejtë në librin amë dhe certifikatë t’i shkruajmë fëmijët tanë se janë shqiptarë. Sot po na tregojnë përralla të tipit se përkatësia etnike qenka ndjesi. Përkatësia etnike është formë jetese, është ajo që ka qenë prindi, babai, gjyshi e stërgjyshi”, shtoi Ziadin Sela – ASH.
Në fund Sela tha se të gjitha ata që mendojnë se mund të na mposhtin, kjo nuk ka për të ndodhur sepse siç shtoi, vetëm në forcojnë kauzën tonë.
Ndryshe këtë tubim ASH krahu i Selës e mbajti në Teatrin shqiptar të Shkupit. Siç njoftoi Sela këto tubime do të vazhdojë në çdo qytet dhe fshat ku ka shqiptarë.