Donald Trump ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke mbajtur një fjalim të gjatë para mbështetësve të tij në Florida.
Trump falënderoi votuesit duke thënë se është nder të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së dhe se do sjellë një “epokë të artë”.
“Dua të falënderoj popullin amerikan për nderin e jashtëzakonshëm që unë u zgjodh presidenti juaj i 47-të. Çdo ditë do të luftoj për ju dhe me çdo frymëmarrje në trupin tim, nuk do të pushoj derisa të kemi çliruar Amerikën e fortë, të sigurt dhe të begatë që e meritojnë fëmijët tanë dhe që ju e meritoni. Kjo do të jetë vërtet epoka e artë e Amerikës. Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm. Kjo është një fitore madhështore për popullin amerikan, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”.
Donald Trump fitoi tre shtetet e para të fushës së betejës, Karolinën e Veriut, Gjeorgjinë dhe Pensilvaninë dhe sipas Fox News, Trump ka fituar 277 vota elektorale kundrejt 226 të Kamala Harris.
Menjëherë pas shpalljes së fitores kanë mbërritur edhe urimet e para nga liderët ndërkombëtarë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte e uroi Trumpin, duke thënë se “udhëheqja e tij do të jetë sërish çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu “urimet e saj më të sinqerta” dhe tha se shpresonte të forconte “lidhjen strategjike” të Italisë dhe SHBA-së.
Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti fitoren e parashikuar të Trump “historike” dhe tha se ai priste “të punojë me ju në vitet në vijim”.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka uruar gjithashtu Donald Trump për fitoren historike duke thënë se kjo do forcojë aleancat midis dy shteteve.
Trump do të jetë presidenti i parë që do të shërbejë dy mandate jo të njëpasnjëshme që nga Grover Cleveland në 1892. Trump u zgjodh për herë të parë president në vitin 2016, duke mposhtur ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Ai humbi rizgjedhjen ndaj Presidentit Biden në vitin 2020 gjatë pandemisë globale të koronavirusit, por ri-kërkoi Shtëpinë e Bardhë në 2024 pas një fushate gati dy-vjeçare, duke u zotuar “Ta bëjë Amerikën të Madhe edhe një herë”.