VLEN-i dhe Fronti Europian pajtohen për një çështje: “Branitellat” mund të kalojnë nëse përfshihen edhe ish-ushtarët e UÇK-së

Propozimndryshimi për ligjin e “Branitellave” mund të kalojë vetëm nëse në të përfshihen edhe veteranët e UÇK-së dhe familjet e të rënëve në konfliktin e 2001-it, është qëndrimi si koalicionit shqiptar në Qeveri VLEN po ashtu edhe atij opozitar Fronti Europian. Nga koalicioni VLEN thonë se zhbllokim të ligjit do ta mundësonin vetëm me një kusht, trajtimin e njëjtë edhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Edhe nga Fronti Evropian thonë se do të përkrahin çdo iniciativë që do të ishte gjithëpërfshirëse. Arbër Ademi nga BDI tha për TV21 se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të dyja palët.

Ligji i Branitellave për herë të parë është miratuar në vitin 2002, për të gjithë veteranët dhe familjet e të rënëve nga forcat policore e ushtarake të shtetit gjatë konflikti të 2001 në vend. Deri më tani ky ligj ka pësuar ndryshime dhe plotësime disa herë, ndërsa propozimi i fundit i dorëzuar nga LSDM është bllokuar në komisionin amë në Kuvend nga deputetët shqiptarë të dy blloqeve, pushtet dhe opozitë.

Ditë më parë, duke folur në DailyClick, deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi tha se janë të gatshëm të ulen dhe të diskutojnë që bashkë me propozindryshimet e Ligjit të Branitellave, të gjendet zgjidhje edhe për statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu