Në Kuvendin e Kosovës sot filluan punimet e sesionit të 36-të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE) të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, në të cilat mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti si folës kyç.
Nga viti 2022 Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.
“…Në Kosovë ky parlament simbolizon një përpjekje të gjatë për liri, drejtësi dhe barazi. Mund të tingëllojë e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerekshekulli nga çlirimi i Kosovës dhe më pak se 17 vjet nga pavarësia e vendit tonë.
Andaj, duke ju drejtuar këtu, ku shumica prej nesh kanë ende një kujtim të freskët të viteve të errëta të fundshekullit të XX-të, dëshiroj të theksoj se demokracia, të drejtat themelore të njeriut dhe paqja, nga të cilat ne të gjithë ishim të privuar në atë kohë, kanë sot një kuptim shumë të çmuar për neve.
Ndër këto vlera fundamentale, më lejoni të nënvizoj se edhe pse popullsia e Kosovës është rreth 93% shqiptare, vendi ynë jetëson një shkallë të lartë respekti për shumëgjuhësinë dhe multikulturalizmin, e cila është e ngërthyer në kushtetutën tonë dhe vërehet në çdo ligj shtetëror, ndërsa 20 nga 120 ulëse në Kuvend janë të rezervuara për pakicat etnike. Rrjedhimisht, Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajmë me botën e frankofonisë”, theksoi Kurti.