Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler, ka ngritur alarmin teksa paralajmëroi se ekziston rreziku që Izraeli të sulmojë Turqinë.
Duke folur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ministri Guler theksoi se Turqia duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar, teksa la te kuptohet mundësinë e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore në çdo moment.
“Presidenti ynë po paralajmëron shoqërinë sepse e sheh këtë rrezik. A do të shprehte ai shqetësime të tilla nëse nuk do të shihte një kërcënim të mundshëm nga Izraeli? Sigurisht, ne nuk duam luftë, por duhet të jemi gjithmonë të gatshëm”– tha ai.
Guler tërhoqi paralele historike, duke kujtuar se si luftërat e mëparshme botërore nisën nga ngjarje në dukje të vogla, duke paralajmëruar se konflikti mund të shpërthejë papritur. Ministri i Mbrojtjes theksoi se prioriteti i Turqisë është ruajtja e paqes, por shtoi se forcat e sigurisë së vendit po bëjnë plane të detajuara për çdo kërcënim të mundshëm.
Komentet e Guler vijnë mes tensioneve të rritura rajonale, me operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe Liban që ngjallën shqetësime të përhapura në të gjithë Lindjen e Mesme.