Pretendimet e Koalicionit VLEN se eksponentë të lartë të BDI-së kanë pasur një plan për rikthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit nga Hungaria në Maqedoni, kundërshtohen kategorikisht nga deputeti Blerim Bexheti. Ai tha se nëse nuk do t’i kërkohet falje publike, do të padis për shpifje sikur Koalicionin VLEN ashtu edhe mediat që kanë transmetuar lajme të pa verifikuara.
“Unë nuk kam marr pjesë në asnjë takim dhe as që kam informacion që ka pasur ndonjë takim të tillë. Kjo është një tentativë e vasalëve të VLEN-it, në këtë rast të gjitha aludimet më çojnë tek krye-hyzmeqari Izet Mexhiti, që është në shërbim të VMRO DPMNE-së. Mendoj që është një shpifje ndaj personalitetit tim në mungesë të argumenteve politike. Si duket Izeti ashtu siç e ka filluar me takime të fshehta, që ndoshta në periudhën e ardhshme do të flasim, edhe ashtu tenton ta vazhdoj por nuk i ndihmon aspak”, tha Blerim Bexheti.
Nga Koalicioni VLEN para disa ditëve përmes një konference për media njoftuan se BDI ngulm duan ta kthejnë Nikolla Gruevski, me qëllim që ata të kthehen në pushtet, ndërsa edhe sot dërguan njoftim deri te mediat se duke nënvizuar se BDI ka pasur takime të fshehta për të rikthyer dhe amnistuar Gruevskin
“Takime të fshehta, presione mbi institucione dhe përfshirja e zyrtarëve të nivelit më të lartë u përdorën për të rikthyer dhe amnistuar Gruevskin. Por ky plan turpi dështoi, dhe tani shqiptarët kërkojnë përgjigje. VLEN nuk do të heshtë. Nga Shkupi i themi Ali Ahmetit, mos u fshih në Zvicër, por kthehu dhe jep llogari. Pse gjithë kjo dashuri për Gruevskin? Çfarë të lidh me të? Çfarë pazare ke bërë dhe çfarë po përpiqesh të fshehësh nga shqiptarët? Populli shqiptar nuk do të mashtrohet më. Drejtësia po vjen, dhe lojërat tuaja kanë mbaruar. Gënjeshtrat, manipulimet dhe pazaret e fshehta do të dalin në dritë”, thotë VLEN.
Sipas përfaqësuesve të Koalicionit VLEN, eksponentë të lartë të BDI-së duke përmendur deputetin Bexheti, ka pasur video dhe audio incizim të një takimi në presidencë ku është thurur një plan për kthimin e ish kryeministrit dhe ish-kryetarit të VMRO DPMBNE-së Nikolla Gruevski, i cili për ti shpëtuar burgut nga PSP është arratisur në Hungari, ku edhe mban statusin e azilantit të përndjekur politik.