Kanë kaluar 14 vite që kur ka nisur projekti për sheshin “Skënderbeu” në Shkup, i cili parashihte edhe parkimin nëntokësor, por që asnjëherë nuk u bë. Për këtë tani ka një shpresë të re, pasi qeveria aktuale ka ndarë mjete për të. Qytetarët janë me mendime të ndryshme nëse do të bëhet apo jo!
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, dje në seancën qeveritare njoftoi se Qeveria ka vendosur të ndajë 20 milionë euro për financimin e këtij projekti.
Përndryshe afati fillestar për përmbylljen e projektit Sheshi “Skënderbeu” ishte viti 2014, pra është dashur të mbyllej para 10 vitesh. Faza e parë e sheshit përfundoi në vitin 2013. E dyta nisi gjatë vitit 2016, ndërsa sheshi u inaugurua në gusht 2017. Faza e tretë, që parashihte parkimet nën tokë, deri më tani nuk është nisur.