Nuk ka më fjalime nga dritarja e banesës, Berisha nga selia e PD: Sot nis rrugëtimi që sjell opozitën në pushtet

Izolimi i Sali Berishës mori fund pas 330 ditësh dhe kryetari i Partisë Demokratike u kthye në seli për të udhëhequr forcën më të madhe politike të opozitës drejt zgjedhjeve parlamentare.

Prej 2 janarit Sali Berisha çdo mbrëmje i ka dhënë mesazhet politike nga dritarja e banesës së tij. Dhe sot për herë të parë kryetari i PD Berisha iu drejtua mbështetësve të tij nga selia e Partisë Demokratike.

“Unë kam mbajtur shume fjalime, por nga sot është koha e veprimit”, tha Berisha.

Në ditën e parë të lirisë, kryetari i PD Sali Berisha e bëri të qartë se aksioni politik i opozitës nuk do të ndryshojë dhe mosbindja civile do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama, krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd. Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë tonë me ndihmën e Zotit, besimin e pakthyeshëm në vlerat dhe parimet tona!”, deklaroi Sali Berisha.

Kryetari i PD Berisha falënderoi familjen për mbështetjen në këtë periudhë të vështirë, bashkëpunëtorët, demokratët, faktorin ndërkombëtar por edhe gjyqtaren që sot vendosi lirimin e tij.

Nga selia e PD Berisha iu drejtua opozitarëve në të gjithë vendin, duke iu premtuar fitore në zgjedhjet e ardhshme.

“Sot jemi më pranë se kurrë me triumfin tonë. Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet”, shtoi ai.

Pas mesazheve për demokratët dhe komunikimit me gazetarët, kryetari i PD Berisha nisi punën duke zhvilluar mbledhjen e parë me deputetët e Partisë Demokratike.

Në 30 dhjetorin e vitit të kaluar Gjykata e Posaçme vendosi ndaj Sali Berishës masën e sigurisë arrest shtëpie. Prej asaj dite demokratët çdo mbrëmje u mblodhën në rrugën poshtë shtëpisë së liderit të tyre historik dhe vetmja hapësirë komunikimi e kryetarit të PD Sali Berisha ishte dritarja e banesës së tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu