Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri, derisa ka thënë se këto sulme kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë.
Kryeministri Kurti para mediave ka pohuar se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së disa keqbërësve.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri po ashtu deklaroi se në vendin tonë nuk mund të ketë as individë e as struktura që janë më të fuqishme se sa shteti i pavarur i Kosovës, që ngadhënjen rregullisht me ligjin e drejtë.
Ndryshe, të enjten pak para mesnate është sulmuar objekti i komunës së Zveçanit. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa është dëmtuar hyrja e objektit të komunës dhe disa vetura.
Pas sulmit ndaj institucioneve të Kosovës, ka reaguar sot kryetari i komunës, Ilir Peci.
Sulme me granata dore ndaj institucioneve të Kosovës ka pasur edhe para disa ditësh.