Ish-presidenti Hashim Thaçi nuk është deklaruar lidhur me fajësinë sa i përket aktakuzës që Zyra e Prokurorit të Specializuar ia ngriti atij, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit lidhur me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Nuk kam pasur mundësi ta diskutoj (me avokaten time) shkaku i angazhimeve tjera që kam pasur në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana ju andaj do të deklarohem me kohë në përputhje me afatin ligjor dhe kushtetues”, tha Thaçi.
Gjytarja Majorie Maselot i tregoi paraprakisht se nuk është i obliguar të deklarohet dhe se që nga mbajtja e kësaj seance i ka 30 ditë për tu deklaruar mbi mospranimin apo pranimin e fajësisë.
Thaçi ka theksuar se Kosova është në prag të zgjedhjeve nacionale, por ka shtuar se “nuk është pjesë e garës elektorale”.
“Krejt papritmas para dy tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale, por nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd. Unë besoj dhe respektoj ligjet e Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë që të respektohet kushtetuta e Kosovës”, tha Thaçi.
“Tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shoqëria kosovare dhe unë presim drejtësi, për çka edhe besojmë në drejtësi”, shtoi ai.
Ndryshe, Thaçi akuzohet për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.
Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.