Artan Grubi vendos të dorëhiqet nga jeta publike

Ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka informuar se po largohet nga jeta publike.

Grubi shkruan se do ta dëshmojë pafajsinë e tij ndaj akuzave të “Listës së zezë” të DASH-it.

Ai shkruan se ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin e tij personal.

Njoftimi i plotë:

“Vendim personal në shërbim të së mirës së përbashkët
Të dashur qytetarë,
Gjithë veprimtarinë time publike jam angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe dhe të pajtuar, për integrimin e plotë në NATO, për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim.

Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët.

Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time.

Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij.
Edhepse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë.

Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti.

Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët.

Me respekt dhe mirënjohje nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj në këto vite,
Artan Grubi” – perfundoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu