Mickoski paralajmëroi lëndë për zyrtarë të BDI-së, BDI kërkon zgjedhje të parakohshme për shkak të marrëdhënieve ndëretnike

Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi se BDI dhe Ali Ahmeti kanë strategji që të hapin tema me të cilat etnikisht do ta ndajnë popullsinë. Sipas tij, qeveria nuk do ta lejojë këtë ndërsa qëllimi i BDI-së është që ta tërheqë vëmendjen nga, siç tha, krimet e kryera. Mickoski zbuloi se aktualisht janë hapur raste kundër funksionarëve të BDI-së.

Shumë raste janë në proces që kanë të bëjnë me ish funksionarë të lartë të BDI-së dhe opinioni së shpejti do të shohë se cili është në fakt motivi i vërtetë i kryesisë aktuale të BDI-së”, tha Hristijan Mickoski.

Ndërkohë nga BDI thirrën që të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tyre urgjentisht duhet të ndryshohet kursi politik.

Bllokimi i procesit të integrimit evropian dhe sulmi ndaj Marrëveshjes Paqësore të Ohrit që ka shkaktuar tensione të reja në marrëdhëniet ndëretnike, kanë krijuar një situatë të paparashikueshme dhe të rrezikshme për stabilitetin e brendshëm… BDI konsideron se e vetmja rrugëdalje për të shpëtuar të ardhmen europiane të vendit është që kjo qeveri t’i hapë rrugë rikthimit të mandatit te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme”, thotë BDI.

Kryeministri u përgjigj se zgjedhje të parakohshme do të ketë nëse opozita i fiton zgjedhjet lokale në vjeshtë.

Nëse kjo qeveri i mposhtë partitë aktuale të opozitës në zgjedhjet lokale, atëherë presim që t’i përkushtohen vetes, të ristrukturojnë kuadrot dhe programin, të rifreskohen që në zgjedhjet e rregullta parlamentare të dalin me program të ri”, deklaroi Mickoski.

Çështja për zgjedhjet e parakohshme një kohë më parë u ngrit në opinion. BDI pohonte se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen bashkë me ato lokalet që të kursehen para. Por partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe VLEN theksuan se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme për shkak se koalicioni është i qëndrueshëm dhe nuk ka nevojë që të shpenzohen mjete shtesë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu