Familja zbulon të vërtetën e dhimbshme të Parashqevi Simakut: Nga ish-bashkëshorti te largimi nga djali

Parashqevi Simaku është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut shqiptar pas shumë vitesh, ndoshta jo si ajo do të donte.

Ndërsa gjithë opinioni publik është tronditur nga pamjet e saj teksa merrte ndihma si e pastrehë e më pas gjithë historia e saj, familjarët – specifikisht vajza e tezes dhe djali i tezes – kanë dhënë një intervistë për “Report TV”.

“E vërteta, erdhi këtu para ‘97 se do jepte koncert me të shoqin. Ai arriti rrëmujën dhe i thonte tezes sime, brenda se na vijnë huliganët. E thonë shqip huliganët. Kur ishte ’97. I pret e ëma biletën që të nisën urgjentisht se në Shqipëri po bëhet rrëmujë.

Për tre ditë do niseni i thotë. Bënë dasmën në Amerikë, na e ka treguar videon tezja. Lindi fëmijën, Lukën. Shkoi tezja një vit dhe nuk ia panë pasaportën që duhet ta shkelte çdo 6 muaj dhe mori ekspuls. Nuk shkeli më në Amerikë, gjithë jetën lot ka derdh se nuk e pa më atë fëmijë. Shkoi dhe vëllai ndejti një vit.
Diku filluan debatet, bëri disa disqe në anglisht. Nuk u eci, u divorcuan. Ia mori djalin. Ne mësuam me të dhëna, kemi vite që nuk komunikojmë me të. U bë shumë vite.

Nuk na lejonte tezja. Se daja thonim ta kërkojmë tek Aida Shtino. Jo thonte e ëma, mos mi nxirrni namin gocës. Të gjithë janë lodhur për ta kërkuar, nusja vëllait, goca e vëllait që ka në Francë. Ai përgjigjej ashpër, hajdeni merreni se nuk e dua më, kam marrë tjetër. Se një ditë do ta gjeni në koshat e plehrave thonte ai. Ne u mërzitëm shumë.

Ajo u nis edhe njëherë, e kaloi Francën, por e kthyen. Kam kontaktuar njëherë edhe me një gazetar, me dha një adresë në Manhattan. E kemi kërkuar, por nuk e gjetëm”, tregon vajza e tezes Rajmonda Xhafa.

Ajo thotë se familjarët kanë bërë përpjekje të shumta për ta gjetur, por gjithçka ka rezultuar e pasuksesshme. Sipas tyre, këngëtarja nuk ka kontakte as me djalin dhe as me pjesën tjetër të familjes.

“Na thanë që kaloi në depresion prej djalit. Ishte shumë e lidhur me djalin, e paguajti me kokën e vet. Ka qenë kënaqësia e këtij populli. Ka qëndruar në shtëpinë time në Durrës. Aman më thonë, ti të flesh në tokë unë ne krevat. Të keqen i thoja vetëm të kesh sukses. Është njeri shumë i mirë, por fatkeqësia të çon në këtë gradë.

Çuni është sot 22 vjeç, ajo mbase nuk kontakton fare me djalin. Thonë që kaloi paralizë parciale, ajo ka dhimbjen e djalit. I thonte gocës së vëllait të vet, Roberto: Hajde se s’kam lek t’i paguaj qiranë se jam martuar kam marrë grua tjetër. Nuk e di pse e braktisi, të paktën të ishte brenda në shtëpi. Çfarë mund të bëjë një nënë kur nuk e ka fëmijën në duar. Ajo është për të qenë, ne i njohim zërin, mimikën, fytyrën. Ju lutem ndihmojeni të bashkohet me fëmijën e vet.

Nëna e saj ka vdekur, s’ka pasur kontakt. Ajo s’ka fol fare me të ëmën, ka vdekur me shpirtin plagë prej vajzës. I ati ka vdekur herët, është operuar në Amerikë, e pati atje. Fliste ndonjëherë me nusen e vëllai të vet, i ka treguar që mësueset e kanë përzënë nga shkolla. I kanë thënë po erdhe njëherë dënohesh me tre muaj burg nëse i afrohesh djalit.

Në fillim ka pas kaluar mirë bashkë me burrin. Ne nuk e kemi parë më fare që në ’97. Fliste me nusen e vëllait ndonjëherë shumë rrallë. I lutem shtetit shumë, meqë ajo ka kontribuuar, ka qenë këngëtare e mirë. Të bëjnë diçka, ta bashkojnë me djalin e vet. Ajo nuk vjen në Shqipëri po nuk pati djalin te sytë. E shkatërroi veten e vet për atë djalë.

Ne nuk kemi asnjë të dhënë që ka kontaktuar me djalin. Ju lutem shumë kushdo që ka mundësi, ta ndihmojnë, ta shërojnë. Kemi ngelur të surprizuar që foli shqip”, thotë ajo për Report Tv.

Ndërsa Robert Bazhuri, djali i tezes së këngëtares, sqaron se tentonte të lidhej me të në Facebook.

“E shikoja që 1 orë ose gjysme ore më përpara ajo e kishte përdorur mesenger. I bija e kurrë nuk ma hapte. E kam takuar për herë të fundit më duket në vitin 1999 kur kishte ardhur për koncert. Flinte te shtëpia e vëllait tim. Unë isha në Amerikë te vajza në Florida 2 vjet më parë thotë ai. Bëra çmos thotë për ta kontaktuar por ishte e pamundur. Shqiptarët atje nuk kishin asnjë kontakt me të”, tregon ai.

Nga ana tjetër, dikur në një intervistë të vitit 1997, Parashqevia tregonte se si mori propozimin për martesë nga partneri asokohe në restorantin ku ishte martuar edhe Marilyn Monroe.

Pjesë nga intervista me Rudina Xhungën, 1997:

Na thoni një datë që e veçoni nga të tjerat?

Parashqevi Simaku: Dita e të dashuruarve. Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Marilyn Monroe.

Si u njohët?

Parashqevi Simaku: Nuk pata ndonjë romancë dashurie, sepse e vetmja dashuri që më ka lindur, më zhvillohet dhe besoj s’do më vdesë kurrë, është muzika, por s’kam harruar kurrë se në jetën time familja zë një vend të rëndësishëm.

Njohja jonë erdhi për shkak të punës së përbashkët. Ai ishte instrumentist, i binte kitarës dhe këndonte në grupin, ku e shoqëruar nga 6 muzikantë, unë këndoja. Ndërsa po i jepnim dorën e fundit punës për të përfunduar albumin tim, më pyeti një ditë nëse mund të dilnim bashkë.

Përgjigja juaj ishte menjëherë po?

Parashqevi Simaku: Një shqiptare nuk thotë menjëherë po, qoftë dhe në Amerikë. Unë kujtoj t’i kem thënë: “Puno me mua, ose dashurohu me mua”, ndërsa ai m’u përgjigj se nuk do t’i pëlqente t’i ndante. Ai është shumë simpatik dhe unë duke i lënë refuzimet menjanë, i shpjegova, që më parë duhet të respektonte traditën e vendit tim, pra t’i kërkonte dorën e vajzës, prindërve të mi, me anë të një letre.

Kjo në fillim s’i pëlqeu shumë, por duke shkruar një letër të gjatë, të gjatë, nisi t’i dukej gati zbavitës fakti që iu shkruante dy njerëzve të panjohur, kundrejt të cilëve ndjente detyrim shpirtëror. Prindërit e mi i kthyen përgjigje pas dy javësh dhe pasi u prezantova në familjen e tij, për të dy nisi një jetë tjetër, një jetë e përbashkët që na duket sikur do të vazhdojë përjetësisht. Me kohë, kam kuptuar se ia vlen të ndash jetën tënde me një njeri të mrekullueshëm si Robert.

Robert është i mrekullueshëm, pse është i bukur, apo ka të tjera veti dhe karakteristika të padukshme për syrin e të panjohurit?

Parashqevi Simaku: Është vështirë të flasësh për burrin tënd, por ajo që më duket kryesorja është ndjeshmëria e tij, ngrohtësia njerëzore me të cilën të rrethon, dashuria që të dhuron.

Ju e kishit thirrur ngaherë në ëndrrat tuaja një njeri si ai?

Parashqevi Simaku: Unë kisha shkruar një listë dikur, me 10 veti që duhet t’i kishte bashkëshorti i ardhshëm. Roberti ka 13.

Pra në vitin ’92 kur u larguat nga Shqipëria ishit pothuajse e bindur, se, askush këtu nuk do mund të qe i denjë për listën tuaj 10 kërkesëshe?

Parashqevi Simaku: Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s’do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t’u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit.

Robert është shqiptaro-amerikan?

Parashqevi Simaku: Prej 100 brezash amerikan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu