Zv/kryeministri për politika dhe sundim të mirë, Arben Fetai, në intervistën e tij për gazetën LAJM, ka komentuar edhe faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pritur sot në takim kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, gjatë vizitës së këtij të fundit në Prishtinë.
“Albin Kurti, ju e dini që është kampion i antikorrupsionit në rajon dhe më gjërë. Sigurisht se ka vija të kuqe për të takuar njerëz që futen në “Listën e Zezë” amerikane, njerëz që janë të kriminalizuar. Pra, unë besoj që ky është edhe një sinjal i qartë për Ali Ahmetin që karriera e tij politike ka mbaruar, se ai nuk e ka përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar dhe se nuk e shohin si një njeri që i kontribuon interesave amerikane perëndimore në rajonin tonë”, tha Fetai në intervistën e tij për gazetën LAJM.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Prishtinë ku është pritur nga politikan të opozitës kosovare, ndërsa ka thënë se Kurti nuk ka gatishmëri për ta takuar atë.