Pas informacioneve nga zv/kryeministri Izet Mexhiti se Artan Grubi tashmë nuk është në Kosovë por në Shqipëri, kryeministri Hristijan Mickoski mendon se tani nuk është me rëndësi se ku gjendet ai. Megjithatë shton se Grubi me arratisjen tregon se nuk është, siç thoshte, i pastër si loti.
“Ka informacione të ndryshme, nuk do të spekuloja nëse tani është në Shqipëri, ose në Kosovë, është fakt se nuk qenka i pastër si loti, sepse po të ishte i pastër si loti nuk do t’i ikte drejtësisë, por do të vijë këtu dhe do ta mbrojë pafajësinë e tij”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga BDI u distancuan nga Artan Grubi i cili ishte anëtar i tyre i shquar. Pikërisht koordinatori i FE nga radhët e BDI-së, Blerim Bexheti ditë më parë në deklaratë për Click plus në TV21 tha se Grubi tashmë nuk është pjesë e BDI-së menjëherë pasi u gjet në Listën e zezë të SHBA-ve.
Nga BDI sot pyesin se pse qeveria refuzon që ta sjellë ligjin për masa restriktive me të cilat do të pengohet që personat që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe BE-së të kenë qasje në jetën politike dhe resurset publike.
“Ky ligj nuk është opsion, por domosdoshmëri. Refuzimi ose zvarritja e tij ngrenë dyshime serioze për ndikime të errëta dhe mbrojtje të interesave të oligarkëve. BDI kërkon përgjigje të qarta: Për kë po punon Qeveria? Për qytetarët, apo për sponsorët dhe të privilegjuarit e saj?”, thonë nga BDI.
Nga LSDM vazhdojnë me kritikat se për arratisjen e Grubit fajin e ka ministri i brendshëm Pançe Toshkovski dhe se kufiri me Kosovën nuk është nën kontroll të MPB-së. Në mënyrë shtesë sipas opozitës është e paqartë se si Izet Mexhiti e di se ku gjendet Grubi ndërsa ata nuk kanë informacion të tillë.
“Sot mbetet e paqartë se si Toshkovski mund të jetë kaq i painformuar dhe MPB të jetë një institucion kaq i dobët nën udhëheqjen e tij, kur Izet Mexhiti, partneri i koalicionit me Mickoskin e di se Grubi është në Shqipëri, ndërsa Toshkovski jo? A e pyeti Toshkovski Mexhitin prej ku i ka informacionet? Toshkovski është i pjekur për dorëheqje, shumë skandale ndodhën pa asnjë përgjegjësi politike”, thonë nga LSDM.
Javën e kaluar Grubi u arratis në Kosovë duke e kaluar pikën kufitare në Bllacë. Por dje zv/kryeministri Izet Mexhiti tha se ai tashmë nuk është në Kosovë por në Shqipëri, ndërsa MPB në bashkëpunim me Interpol janë në kërkim të tij.