Tregimi mbi mbretin e ashpër që bënte zullume të shumta

Ai ishte një mbret i egër dhe bënte zullume të shumta, saqë të gjithë uronin të vdesë, ose dikush ta shkulë e ta largojë nga froni. Por, për habinë e të gjithëve, ndodhi diçka krejt tjetër, e paimagjinueshme nga askush: Mbreti ndryshoi sjellje në mënyrë të befasishme. Ai u deklaroi të gjithë oborrtarëve, madje gjithë popullit se do të fillojë një faqe të re me të gjithë. Ai u tha: ”Që sot, nuk do të ketë sjellje të ashpra dhe padrejtësi!” Për tu çuditur, por ashtu ndodhi. Ai e mbajti fjalën që u dha njerëzve dhe tashmë filloi të njihej si mbreti zemërmirë.

Pasi kishin kaluar disa muaj, njëri nga vezirët që e kishte uruar vdekjen e mbretit kushedi sa herë, guxoi dhe e pyeti një ditë: ”Lartmadhëria juaj! A nuk më thoni, si ka mundësi që ndryshuat sjellje në mënyrë të papritur?!”

Mbreti iu përgjigj: ”Po. Një ditë, teksa vrapoja hipur mbi kalë në pyllin këtu pranë, sytë më zunë një qen të tërbuar i cili i qe vënë pas një dhelpre. Kunadhja arriti të hyjë në strofullën e saj, por vetëm pasi kishte marrë një kafshim në këmbë nga qeni. Dukej që kunadhja nuk do të vraponte me këmbën e saj si më parë, pra do të jetonte me këmbë të paralizuar. Më pas, mbërrita në fshat, ku pashë të njëjtin qen, i cili i lehte një burri. Teksa po e ndiqja me vëmendje, burri merr një gur dhe e godet qenin, duke i thyer këmbën. Pa kaluar shumë, burri merr një shqelm të fortë nga kali i tij, duke ia bërë copa gjurin. Menjëherë, kali ia dha me të katra, por rrëshqiti në një gropë dhe theu këmbën. Të gjitha këto, më bënë të mendoj se e keqja lind të keqen dhe nëse do të vazhdoj me sjelljet e mia të pahijshme, do të më binin kokës ndonjë ditë. Kështu,vendosa të ndryshoj dhe ja ku jam.”

Veziri u largua, më i bindur se kurrë se asnjëherë nuk kishte qenë koha më e përshtatshme për ta shkulur nga froni mbretin dhe për tu ulur vetë në atë fron. Por, teksa ecte i mbytur në mendime dhe fantazi, nuk e vuri re një gropë. ai ra brenda dhe theu qafën.

Etika e tregimit:
E keqja lind të keqen, asnjëherë mos u bëni agresiv dhe i ashpër bëhuni të butë dhe të mirëkuptueshëm me njerëzit që u rethojnë. Profeti a.s. në një hadith citohet të ketë thënë: “Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë”. Poashtu në një hadith tjetër Profeti a.s. ka thënë: “Atij që i është dhënë hisja e tij e butësisë, i është dhënë në fakt hisja e tij nga mirësia e dynjasë dhe amshimit”.

Kështu që silluni mirë me njerëzit, pasi ç’të bësh do të gjesh, nëse bën mirë me të mira do tët kthehen, nëse je agresiv dhe bën keq e keqja do ju kthehet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu