Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar pak ditë më parë, kandidatët për deputetë kanë ‘hedhur’ kritika për kundër kandidatët duke ia kujtuar të bëmat dhe ato që nuk arritur t’i realizojnë.
E zëshme në hapje të fushatës u tregua edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në tubimin elektoral në Mitrovicë, e cila ka thumbuar partitë opozitare.
Ajo ka deklaruar se qeveria duhet të vazhdojë me punë të mira.
“Me këtë qeveri le të vazhdojmë betejën për të bërë shumë punë të mira, për luftimin të korrupsionit, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme që po ju frikësohet shumë opozita dhe shumë oligark”, tha ajo.
Ndër të tjera, Haxhiu sulmoi prokurorët dhe gjyqtarët, duke thënë se nevojitën prokurorë e gjyqtarë të guximshëm e jo të tillë që ia kanë hequr fletëarrestin kryeterroristit Milan Radoiçiq.
Derisa me këtë deklarim, Haxhiu iu drejtua opozitarëve, kush janë ata zyrtarë politikë që kanë pasuri të pajustifikueshme?
Lidhur me këtë çështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohës të fushës së politikës. Kështu, analisti Gani Qarri, thotë se, ‘frika e madhe e udhëheqësve kryesor të partive të inkriminuara politike nga konfiskimi i pasurive të kundërligjshme dhe druajtja nga mbajtja e përgjegjësisë penale para ligjit për hajnit e “supozuara” të tyre, ka shtyrë shefat e grupeve parlamentara të PDK-së, LDK-s dhe AAK-së që veçanërisht ligjet e miratuara në Kuvend, për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, t’i kontestojnë në vijimësi, me çdo mjet e mundësi, duke i dërguar ato në Gjykatën Kushtetuese.
Madje, sipas tij duke kontestuar bashkërisht edhe Vettingun, siç deklaruan “njëzëri” shef i Grupit Parlamentar të (AAK-së, Besnik Tahiri dhe koordinatori për “Drejtësi” i PDK-së Përparim Gruda, në tryezën e organizuar nga IKD, në fillim të dhjetorit në Prishtinë’.
Ndërkaq për këtë temë, ka folur po ashtu edhe analisti politik, Faton Mehmeti. Ai vlerëson se, ministrja Haxhiu e ka fjalën për ish zyrtarët e lartë të shtetit që tani janë në opozitë.
ImageFaton Mehmeti.FOTO GALERI
“Konfiskimi i pasurisë është premtim i Kurtit dhe si i tillë duhet të realizohet ndonëse ka vështirësitë e saj. Dihet botërisht se ata janë të korruptuar dhe meritojnë tu konfiskohet pasuria, mirëpo nuk është edhe kaq e kollajshme”, thotë ai.
Mehmeti thotë se pasuritë e tyre të shumta nuk i kanë në emër të tyre dhe se paratë i kanë depozituar jashtë vendit.
“Gjithsesi edhe ato që i kanë në emër të tyre ka mundësi tu konfiskohen nëse forca e ligjit bën punën e saj. Mirëpo, që të ndodh kjo duhet të ketë gjykatës, prokurorë të rinj e të pa korruptuar e që nuk janë vegël e klanit “Pronto”, që ende e kanë drejtësinë në dorë”, theksoi Mehmeti./BOTA SOT