“Erdh profesoresha ta shoh. Unë prej dje në mëngjes nuk e kam pa. Profesoresha zbriti poshtë, tha vetëm Zoti e ka në dorë. Sëmundja po, edhe pak gripi i ka rënë dhe ajo është në rregullt, a kjo pa oksigjen ja ka vendos kapakun”, tha Shemo Shabani.
Shemo Shabani me lot në sy rrëfen se si u përkeqësua gjendja shëndetësore e babait të tij. Ai pretendon se veturës së ndihmës së shpejt, gjatë transferimit të babait nga Gostivari për në Shkup, në mes të rrugës i është harxhuar oksigjeni, pa të cilin pacienti nuk ka mundur që qëndrojë.
“Me 8 janar më kanë dhënë udhëzim për ta dërguar në spital, në pulmologji në Shkup, vajza ime dhe dy mjekë këtu të spitalit. Aty tek dera e spitalit i kemi thënë shoferit të kesh oksigjen se ja ku janë dokumentet se baba im nuk guxon një minutë të jetë pa oksigjen, jo të transportohet pa oksigjen. Mua dhe vajzës na ka thënë, rrini rehat se kemi oksigjen. Kur kanë mbërri nga Tetova ja kanë ndalë oksigjenin, nga katër litra, në një e gjysmë a dy. Kur mbërrin në Shkup në hyrje për tek spitali më thotë vajza se i është ndal babës oksigjeni. Mu prish dynjaja, ai nuk rri një minutë pa oksigjen, ndihma e shpejtë e di rastin. Babën tim e kanë vozit tetë kilometra pa oksigjen, i kanë dhënë kortizon por kortizoni pa oksigjen është vetëm atom”, deklaroi Shemo Shabani.
Por, Besnik Zeqiri, udhëheqës i urgjencës në Gostivar, mohon këto pretendime të Shemës. Sipas tij pacienti gjatë gjithë kohës ka qenë me oksigjen, sepse siç shtoi bombolat çdoherë kontrollohen a janë të mbushura me oksigjen.
“Pacienti gjatë gjithë kohës ka qenë me oksigjeno-terapi, edhe sa ka qenë në spital edhe në furgonin e ndihmës së parë, deri para derës së urgjencës apo klinikës së pulmologjisë. Sa i përket asaj se është ulur oksigjeni, është e vërtetë se kur është nisur këtu është nisur me dhjetë njësi dhe gjatë kohës, në komunikim me mjekun internistë, gjatë transportit nuk duhet të jetë më shumë se katër njësi gjendja e oksigjenit. Në hyrje, aty hiqet oksigjeni dhe aty transportohet në klinikën e pulmologjisë dhe aty dhe vetëm aty ka pas ndërprerje automatike se duhet ndërpritet. Më pas e marrin me oksigjen nëse ka ekipi që e pret dhe dërgohet në spital dhe vetëm ai ka qenë momenti kur e ndërpret oksigjenin”, tha Besnik Zeqiri.
Ndryshe, Shema thotë se si pasojë e kësaj gjendja e babait është përkeqësuar shumë dhe se tani ai është në dhomë intensive pa vetëdije.