Vazhdojnë ankesat në Klinikën Universitare për Sëmundje të Frymëmarrjes te Fëmijët “Kozle”, përcjell TV21. Kolegjiumi pranë këtë institucioni sot ka dërguar një reagim, ku kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të u.d. drejtoreshës Karolina Simonovska, e cila sipas tyre së fundmi ka shkarkuar specialisten e ORL-së në këtë Klinikë, d-r. Veselinka Mitrovska Josifovska.
“Skandali i fundit që ka tronditur Klinikën, mjekët dhe pacientët tanë është se doktoresha Veselinka Josifovska Mitrovska është shkarkuar në mënyrë të paskrupullt nga puna. Në vendimin e largimit të marrë nga drejtuesit, ajo akuzohet se ka qenë fizikisht e pranishme në sallën e bronkoskopisë kur është bërë ndërhyrja për të hequr një trup të huaj nga rrugët e frymëmarrjes së një prej pacientëve tanë. Prania e koleges vetëm sa konfirmon shqetësimin e saj për shëndetin e pacientëve, që është fusha e saj e punës. Dr. Josifovska gjatë intervenimit ka hasur në një takim jo të këndshëm me drejtoreshën, e cila ka tentuar ta largojë me forcë nga zyra, për çka ka dëshmitarë. Njoftojmë publikun se ndërhyrja tek fëmija ka rezultuar me sukses, i është hequr një trup i huaj nga rrugët e frymëmarrjes së pacientit. Fëmija nuk rrezikohej nga asgjë në asnjë moment dhe as prania e një mjeku që ka 22 vite përvojë në këtë çështje nuk mund të rrezikonte në asnjë mënyrë jetën e fëmijës. Përkundrazi, nëse shfaqeshin komplikime, mund të ndërhynin menjëherë mjekët të pranishëm dhe me përvojë shumëvjeçare. Por paradoksi është se sipas drejtoreshës, siç shkruhet në vendimin e largimit nga puna, prania e saj rrezikonte jetën e pacientit”, thuhet mes tjerash në reagimin e Kolegjiumit./tv21.tv