“Asociacioni, detyrim i paplotësuar”, Lajçak: Kurti ka refuzuar pranimin e draftstatutit

Detyra e Miroslav Lajçak si ndërmjetësues për dialogun Kosoivë-Serbi mbaron me fillimin e muajit shkurt. Në një intervistë lamtumire për mediat në Kosovë, Lajçak foli për problemet që qeveria e Albin Kurtit ka sjellë, duke refuzuar pranimin e draft statutit të asociacionit.

“Siç e dini, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i kahershëm – dhe ende i paplotësuar – i Kosovës sipas të drejtës ndërkombëtare. Ky obligim ka ekzistuar që përpara Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe buron nga Marrëveshja e Parë e Brukselit që ishte lidhur vullnetarisht nga qeveria e Kosovës. Është e rëndësishme të kuptohet se asgjë e keqe apo kërcënuese për Kosovën nuk do të mund të dilte nga bartja e Draft-Statutit Evropian në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është gardiane e Kushtetutës së Kosovës dhe për këtë arsye nuk do të vendoste kurrë në një mënyrë që do ta dëmtonte Kushtetutën e Kosovës”

Sipas Lakçak, kjo ka sjellë bllokim të fondeve të Bashkimit Europian për Kosovën dhe krisje të marrëdhënieve me aleatët më të ngushtë perëndimorë.

“Nuk dua të spekuloj për masa apo pasoja. Mendoj se Kosova humbi disa mundësi të rëndësishme që nga vera e vitit 2023 dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Teksa konsideroj se ka pasur arsye pse janë vendosur masat ndaj Kosovës, jam i mendimit se ato ishin dashur të hiqen pas Banjskës në solidaritet me Kosovën. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi…kjo kërkon konsensusin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Për t’i bindur ata që mund të jenë pak më skeptikë, qeveria e Kosovës do të duhet të bindë shtetet anëtare se është serioze për de-përshkallëzimin”

Në fund ai foli edhe për pasuesin e tij danez, Peter Sorensen, duke nxjerrë në pah përvojën e tij në diplomaci dhe njohjen e rajonit.

Megjithatë, Lajçak theksoi se ecuria e dialogut varet nga Kosova dhe zbatimi i marrëveshjes çon sa më parë në integrimin europian.

“Populli juaj meriton të jetë pjesë e BE-së dhe ju i keni zgjedhur liderët tuaj për ta përmbushur këtë premtim. Kaja Kallas dhe Peter janë këtu për t’ju ndihmuar që ta largoni këtë pengesë, e cila nuk po e lë Kosovën dhe Serbinë të ecin para. Mos e humbisni këtë mundësi”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu