Arbër Bytyqi, grimeri i njohur shqiptar, ka ndarë me publikun disa nga sfidat që ka përjetuar kur vendosi të ndiqte pasionin e tij për makijazhin dhe bukurinë.
Në një intervistë të fundit në emisionin “Mirëmbrëma Yje” me moderatoren Arbana Osmani, Arbri tregoi momentet kyçe të jetës së tij dhe vendimin që mori për të ndjekur këtë profesion.
“Kur e përfundova shkollën e mesme dhe ishte koha të bëja përzgjedhjen për studime, babi më tha të përgatit një listë se çfarë doja të studioja, dhe zgjedhja ime ishte: Floktar, grimer, dizajner i modës apo dizajn i enterierit. Babait i ra pika, s’mund ta përballonte. Më tha nuk ke përkrahje prej familjes nëse ti dëshiron të ndjekësh një profesion të tillë”, shpjegoi grimer inga Prizreni, duke zbuluar se për shkak të këtij presioni, ai e kaloi periudhën e studimeve në fushën e marrëdhënieve me publikun në AUK.
Megjithatë, pas këtij hapi të detyruar, Arberi nuk e humbi asnjëherë pasionin për artin e grimit. Ai vazhdoi të zhvillonte aftësitë e tij dhe sot është një nga grimerët më të kërkuar në Shqipëri, i njohur për stilin dhe kreativitetin e tij.
Gjatë intervistës, Arberi theksoi se pavarësisht pengesave dhe kundërshtive të familjes në fillim, ai arriti të ndjekë ëndrrën e tij dhe të krijonte një emër të njohur në industrinë e bukurisë.
Ai e cilëson pasionin dhe angazhimin si faktorin kyç që e ndihmuan të arrinte suksesin në këtë fushë, duke kaluar përmes sfidave që i dolën para.