Fatura të majme të rrymës! KRRE kërkon që politika të mos përzihet, partitë me përplasje

“Komisioni Rregullator për Energjetikë u bënë thirrje partive politike të mos i politizojnë vendimet e KRrE-së, që është trup i pavarur”, thonë nga KRRE.

Komisioni rregullatorë me apel, por partitë sot u “ndezën” për këtë temë dhe nuk kursyen as ofendimet.

Faturat astronomike të larta për rrymë janë pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë së Qeverisë së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Me shfuqizimin e subvencioneve për rrymë, VMRO-DPMNE ashpër goditi në xhepin e qytetarëve…Të përballur me fatura që arrijnë 8.000, 10.000, 15.000 denarë, një pjesë e qytetarëve kërkojnë mënyrë për t’i paguar, ndërsa të tjerë kërkojnë korrigjim të faturave. Kjo është vetëm një pjesë e serisë së vendimeve dhe politikave të gabuara të VMRO-DPMNE-së me të cilat për tetë muaj e ulën standardin e qytetarëve”, deklaroi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

LSDM i bëri thirrje Qeverisë që urgjentisht të sjell vendim për shfuqizimin apo uljen e TVSH-së për rrymën dhe ngrohjen, si ndihmë për qytetarët që të tejkalojnë këtë periudhë të vështirë.

Me përgjigje në formë të shkruar doli VMRO-DPMNE-ja.

“Hipokrizi klasike edhe një tjetër në serinë e përpjekjeve për të manipuluar qytetarët nga e njëjta LSD që ka varfëruar qytetarët dhe shkatërruar standardin e tyre të jetesës. LSD e rriti TVSH-në e produkteve ushqimore nga 5% në 10% dhe sot është absurde të sugjerojnë uljen e të njëjtës”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, dje, KRRE-ja u bëri thirrje të gjitha amvisërive që kanë marrë faturat e energjisë elektrike dhe që konsumi i tyre është faturuar në bllokun e katërt për herë të parë, që të kërkojnë nga EVN Home, e cila është e obliguar të korrigjojë faturat e energjisë elektrike dhe të bëjë shpërndarjen e duhur sipas blloqeve sipas historikut të konsumit mesatar të amvisërive në tre periudhat e fundit të faturimit. KRRE theksoi për konsumatorët të cilët janë të pakënaqur me llogaritjen e energjisë të harxhuar dhe shumën e faturës, kanë të drejtë të paraqesin ankesë tek furnizuesi universal EVN HOME dhe nëse konsumatori nuk është i kënaqur me përgjigjen e marrë ose nuk merr përgjigje brenda afatit tetë ditësh të përcaktuar me ligj, ata kanë të drejtë të paraqesin ankesë në KRRE si organ i shkallës së dytë.

“Nuk ka formular specifik të paraparë për ankesë deri te KRRE dhe ankesës duhet t’i bashkëngjitni: një kopje të ankesës së paraqitur në EVN HOME, përgjigjen nga EVN HOME dhe një kopje të faturës për të cilën ankohen.

Ankesa mund të dorëzohet në arkivin e KRRE-së ose në mënyrë elektronike me e-mail në [email protected] dhe [email protected]. Kundër vendimeve të KRRE-së pala e pakënaqur mund të iniciojë një kontest Administrativ”, shtojnë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

KRRE rikujtoi se nga 1 janari i vitit 2025, çmimi i energjisë elektrike për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur për më pak se 1%, ose saktësisht 0,92 %.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu