Ish-drejtoresha e Byrosë për Metrologji, Merita Mustafai në përgjigje për TV21 thotë se pajisja për të cilën sot njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, për kontroll të njehsorëve të energjisë elektrike, ka qenë në fazën përfundimtare të vënies në funksion, por që e njëjta nuk është bërë për shkak të mungesës së personelit. Mustafai thotë se udhëheqja aktuale e Byrosë duhet të japë përgjigje se deri ku ka mbetur procedura.
Në lidhje me: I jepet fund matjeve të pasakta të rrymës elektrike në Maqedoni? Kërkohet që të vihet në funksion pajisja për kontroll, që qëndronte në bodrum për 7 vjet
“Furnizimi me këtë lloj pajisje laboratorike është planifikuar për më shumë se 10 vite, shumë më herët se të jem unë drejtor. Ka pasur disa tentativa për t’u pajisur Byroja me këtë laborator. Në kohën kur kam marrë detyrën ishte faza finale e sjelljes në Byro, mirëpo për shkak të mungesës së personelit nuk mundi të vihet në përdorim me kohë. Besoj për informacione tjera do duhet të drejtoheni në Byro të ju informojnë nëse kanë vazhduar procedurat e mëtejshme të trajnimit të personelit si dhe për specifikacionin e saktë të mundësive operative”, tha Merita Mustafai.