Partitë po përveshin mëngët për t’iu rrekur punës për kandidaturat për komunat. Burime të TV21 brenda koalicionit VLEN bëjnë të ditur se po shqyrtohen kandidaturat e mundshme nga ky koalicion për kryetar të Sarajit, ndonëse nga VLEN zyrtarisht mohojnë.
Kështu, nga ajo që merr vesh TV21, kandidatët e mundshëm të VLEN-it për Sarajin janë:
Blerant Ramadani – ASH-TARAVARI (koordinator në Qeveri për Aplikimin e Teknologjive të Reja)
Muhamed Elmazi – LD (drejtorin aktual të “NOMAGAS”)
Orhan Murtezani – AAA (Ministër për çështje evropiane)
Hasim Murtezani – L.Besa (zëvendëssekretar gjeneral i Qeverisë)
I pyetëm të gjithë këta nëse brenda VLEN-it janë kandidat potencial dhe nëse janë të gatshëm për t’i hyrë garës?
Më i prerë në përgjigje ishte Hasim Murtezani nga “Besa”. Shkurt u përgjigj:
-“PO”, tha Hasim Murtezani nga Lëvizja BESA.
Blerant Ramadani nga ASH-Taravari na tha se është i gatshëm për garë nëse për këtë vendosin strukturat.
“Nëse populli, struktura dhe koalicioni VLEN vendosin të më besojnë këtë përgjegjësi, unë jam i gatshëm ta pranoj me përkushtim dhe seriozitet. Besoj se me vizionin dhe vullnetin tim mund të jap kontribut pozitiv për të mirën e qytetarëve. Në fund, është populli ai që vendos, dhe unë do të jem gjithmonë në shërbim të tij”, tha Blerant Ramadani, ASH-Taravari.
Orhan Murtezani nga Alternativa dhe Muhamed Elmazi nga Lëvizja Demokratike, në vend të përgjigjes, na orientuan tek qëndrimi i djeshëm i VLEN-it.
“Ne lidhje me zgjedhjet lokale dje kemi lëshuar kumtese si VLEN”, tha Orhan Murtezani, Alternativa.
“Keni komunikatë nga VLEN-i edhe ajo është e vërteta!”, tha Muhamed Elmazi, Lëvizja Demokatike.
E në kumtesën e djeshme VLEN tha se akoma nuk kanë ndarë komunat e as kandidatët, andaj apeluan për durim. Shtojnë se Koalicioni VLEN ka koordinim të vazhdueshëm, andaj për çdo çështje opinioni në kohë do të jetë i njoftuar me vendimet e Koalicionit. Përfundojnë duke rikujtuar se “pavarësisht se si do të jetë ndarja e komunave, fitoren e kanë të përbashkët gjithandej, çdo kund, në çdo komunë!”