Kërkesa është më e madhe, por duhet buxhet! Në Kumanovë jepen iftare për rreth 350 persona

Në Kumanovë dhe rrethinë Faik Asani ka ndërmarrë nismë për shpërndarjen e iftareve për familjet skamnore. Ideja, siç thotë Asani, ka buruar nga vet familjet skamnore që vazhdimisht kanë kërkuar ndihmë që nga viti i kaluar.

Në një ditë arrijnë të shpërndajnë iftare për rreth 350 persona, ndonëse kërkesat janë edhe më të mëdha mirëpo për shkak të kufizimeve buxhetore tani për tani nuk munden të sigurojnë më shumë.

“Mbulojmë mesatarisht rreth 350 iftare në ditë, shpresojmë që deri në fund numri të jetë shumë më i madh se vitin e kaluar. Përveç qytetit të Kumanovës, mbulojmë të gjitha fshatrat e komunës së Likovës”, tha Faik Asani.

Siç na tregoi Asani, buxheti sigurohet nga mërgimtarët, afaristët lokal si dhe vetë qytetarët. Kësaj iniciative i janë bashkuar 15 vullnetarë të cilët përgatitin dhe shpërndajnë ushqimin deri te shtëpitë e skamnorëve.

“Buxhetin e sigurojmë nga bashkatdhetarët tanë që janë në Europë, afaristët lokal dhe më gjerë, si dhe në përgjithësi nga qytetarët e Kumanovës dhe rrethinës. Kemi buxhetin e nevojshëm deri më ditën e 20 të Ramazanit, ku d.m.th. mbulojmë nga 300-350 iftare dhe shpresojmë dhe besojmë që ditët e fundit do të jenë më të frytshme dhe besoj se do të arrijmë sukses më të madh se vitin e kaluar”, shtou Faik Asani.

Një iftar për një person kushton 4 euro, pra me 100 euro sigurohen 25 porcione. Të gjithë ata që duan ta mbështesin këtë nismë mund të drejtohen te hoxha Faik Asani.

Përndryshe ky është viti i dytë që ndërmerret një nismë e tillë në Kumanovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu