Ekipet mjekësore nga Izraeli, Belgjika, Serbia dhe vende të tjera këto ditë kanë ardhur në Maqedoninë e Veriut, e cila po lufton për jetën e dhjetëra të rinjve të lënduar në zjarrin katastrofik që shpërtheu në diskotekën e improvizuar në Kоçan. Numri i atyre që janë në gjendje kritike dhe që po dërgohen për kurim jashtë vendit po rritet për çdo ditë. Të gjitha vendet fqinje ofruan ndihmë për pranimin dhe trajtimin e fëmijëve me djegie dhe probleme respiratore si pasojë e inhalimit të monooksidit të karbonit, raporton Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
“Të gjithë pacientët kanë lëndime të rënda që paraqesin rrezik për jetën. Sipërfaqja e trupit e dëmtuar nga djegiet shkon deri në 25%. Të gjithë kanë simptoma të intoksikimit dhe djegieve në traktin respirator dhe për këtë arsye lëndimet paraqesin rrezik për jetën,” njoftuan mjekët nga Beogradi ku kurohen tetë të rinjtë me lëndime më të rënda, të cilët ditën e diel ishin të pranishëm në koncertin e grupit të DNK në diskotekën “Puls” në Koçan. Informacione të ngjashme vijnë edhe nga Kroacia, ku për trajtimin e të plagosurve janë angazhuar ekipe të tëra mjekësh.
Informacioni se numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas kësaj fatkeqësie vazhdimisht po rritet, ngre dilemën në opinion se pse Maqedonia e Veriut nuk ka një qendër për trajtimin e djegieve, gjë që e bën atë një nga vendet e pakta në rajon që nuk është në gjendje t’i plotësojë nevojat e qytetarëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi.
Pse është mbyllur qendra për trajtimin e djegieve?
Qendra e parë zyrtare për trajtimin e djegieve është themeluar me themelimin e Spitalit Ushtarak në Shkup nën udhëheqjen e D-r. Krste Mitanovskit, sipas strategjisë për shëndetësinë të APJ-së. Qendra është mbyllur me qëllim që të lirohen mjediset për Kardiokirurgjinë private “Zhan Mitrev” Qendra e dytë për trajtimin e djegieve është hapur në vitin 2000 në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit – Kirurgjia, që sot njihet me emrin Klinika për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, ndërsa është nxjerrë jashtë funksionit në vitin 2016.
Kryeministri Hristija Mickoski, si dhe autoritetet shëndetësore, ditëve të fundit kanë dalë me deklarata se edhe sikur qendra për trajtimin e djegieve të kishte qenë në funksion, ajo do të kishte kapacitet për katër deri në pesë pacientë. Sipas Mickoskit, sistemi në Maqedoninë e Veriut është treguar i fortë dhe se mund të përballojë një valë të tillë, ashtu siç ka treguar edhe sistemi shëndetësor se është i gatshëm të përballet me sfida të mëdha.
Por, mjekja Dobrilla Andonovska, specialiste e kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive me 35 vjet përvojë pune në shëndetësinë publike dhe private, e cila është themeluese e Qendrës për trajtimin e djegieve për çka është specializuar në Lubjanë, Zagreb, Sofje dhe Oksford, në një postim publik ka shpjeguar se pse vendi ka nevojë për një qendër të tillë.
“Kemi kapacitete të papërdorura që mund të përdoren për këtë qëllim, kemi kirurgë plastikë të jashtëzakonshëm, kirurgë për fëmijët, traumatologë, anesteziologë dhe reanimatorë dhe specialistë të tjerë, kuadër mjekësor të shkëlqyer dhe me përvojë. Do presim që të kalojë kjo periudhë tronditëse, që të përfundojë trajtimi i të gjithë pacientëve, pa dallim nëse po trajtohen në Maqedoni apo në vende të tjera, dhe pastaj të ulemi dhe të përpilojmë një strategji për themelimin e një qendre moderne për trajtimin e djegieve që do të ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për pacientët, punonjësit shëndetësorë dhe shtetin, jo vetëm nga aspekti shëndetësor, por edhe nga aspekti strategjik”, theksoi ajo.
Andonovska thotë se numri i rasteve që kanë nevojë për një trajtim të tillë në vendin tonë çdo vit është shumë më i lartë se “dy ose tre”. Brenda një periudhe rreth 16-vjeçare në këtë Qendër janë trajtuar 1.316 pacientë me djegie të rënda, mesatarisht nga 84 pacientë në vit me djegie të rënda, e jo dy pacientë në vit, siç thonë autoritetet.
“Në Repartin e Kirurgjisë Plastike dhe të Kirurgjisë Pediatrike janë trajtuar edhe rreth 20-30 pacientë shtesë në vit me djegie të rënda, që do të thotë se ky spital ka trajtuar pak më shumë se 100 pacientë në vit. Nëse supozojmë se 20 pacientë të tjerë janë trajtuar në institucione të tjera, atëherë numri i pacientëve të trajtuar brenda një viti në vendin tonë është 120”, tha Andonovska.
Në Qendër janë trajtuar edhe shtetas të huaj si pacientë privatë dhe ka pasur një tendencë që ajo të shndërrohej në një Qendër rajonale. Në këtë Qendër janë trajtuar pasojat e djegieve si plagët, kontrakturat dhe deformime të tjera. Një numër i madh i pacientëve me djegie janë trajtuar në kushte ambulatore dhe poliklinike nga një ekip i madh specialistësh dhe shumë mjekë të tjerë të rinj të trajnuar, të cilët në ndërkohë janë bërë anesteziologë të shkëlqyer në shëndetësinë publike dhe private.
“Qendra funksiononte si një njësi e veçantë e Repartit të Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, e vendosur në një pjesë të veçantë të spitalit me hyrje të veçantë nga jashtë. Ajo ishte e pajisur me pajisjet më moderne nga qeveria japoneze – Kujdesi intensiv me dy sisteme Clinitron me origjinë nga Franca, të cilat në rajon mund t’i gjeje vetëm në Pirogov – Sofje (gjithsej rreth 40 – 50). Këto sisteme të kompjuterizuara mundësonin kushte mikroklimatike të veçanta: ajrosje, temperaturë, lagështi dhe pacientët qëndronin të shtrirë si të ishin pezull, të shtrirë në “vaska” të mbushura me rërë silikoni që “vlonte” për shkak të qarkullimit të ajrit”, kujton mjekja.
Qendra kishte një sallë të veçantë kirurgjike për djegiet ku gjashtë specialistë të kirurgjisë plastike së bashku me anesteziologët i kryenin ndërhyrjet kirurgjikale dhe fashimet me anestezi të përgjithshme. Atëkohë është themeluar edhe Banka e membranave amniotike, ndërsa mjekët dërgoheshin për trajnime në klinika të njohura në rajon dhe në Evropë.
Trajtimi i djegieve të rënda zgjat më shumë muaj dhe është mjaft i “shtrenjtë” për Fondin, por asgjë nuk është më e shtrenjtë se jeta e njeriut. Andonovska thekson se nëse nuk do bëhej fjalë për një situatë ku shumë vende mike pranuan të bëjnë trajtimin e të lënduarve (numri më i madh i të cilëve u dërgua në Serbi dhe Bullgari), nga përvoja e deritanishme trajtimi i një pacienti me djegie në një shtet evropian do t’i kushtonte Fondit minimum 150-250 mijë euro.
“Për shkak se ne jemi shtet social çdo pacient për trajtimin e të cilit nuk ka kushte në sistemin shëndetësor të Maqedonisë, ka të drejtë të trajtohet në një shtet tjetër me shpenzimet e mbuluara nga Fondi”, thotë ajo.
Prandaj, lind edhe pyetja nëse shtetit do t’i kushtonte më pak që të themelonte një qendër moderne për trajtimin e djegieve apo t’i dërgojë pacientët për trajtim disamujor jashtë vendit? Andonovska është decide – vendi duhet të themelojë një qendër moderne për trajtimin e djegieve me minimum 50 shtretër.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.