Mbeten në gjendje kritike 4 pacientë, të lënduar në zjarrin në Koçan, e që po trajtohen në spitalet jashtë vendit. Dje u kthyen dy pacientë, ndërsa ministri i Shëndetësisë Arben Taravari bëri të ditur se 108 pacientë do të mbeten jashtë shtetit për trajtim mjekësor.
“Momentalisht nëpër spitalet e Shkupit pacientët të cilët e përjetuan tragjedinë e Koçanit, shërohen 23 pacientë, prej të cilëve 4 janë në qendrën klinike, 6 janë në spitalin e vjetër të qytetit dhe 9 janë në “8 Shtatori”. 4 Pacientë janë në spitalet private. Pacientët të cilët shërohen jashtë shtetit janë 113, të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 4 pacientë vazhdojnë të jenë në gjendje kritike”, tha Arben Taravari.
5 pacientët të cilët do të kthehen sot, Taravari tregoi se në 24 orët e para do t’i presin sipas protokollit, do të shtrohen në klinika dhe pastaj këshilli i mjekëve do të vendosë nëse ata duhet të lirohen apo do të qëndrojnë në spital. Ministri Taravari, paralajmëron edhe Qendër rehabilitimi në vendin tonë, për pacientët të cilëve do t’u nevojitet trajtim më i gjatë.
“Tani për tani planifikojmë t’i pranojmë këta pacientë që do të vijnë në klinika. Në ndërkohë do të shohim, kemi oferta nga disa shtete të caktuara, ata të cilët janë pacientët me gjendje më të rëndë dhe atyre të cilëve u duhet rehabilitim në një kohë më të gjatë, eventualisht ata të cilët janë në gjendje më të komplikuar për rehabilitim, mundet të qëndrojnë edhe jashtë shtetit, megjithatë edhe këtu po planifikojmë të bëjmë Qendër për pacientët, të cilëve do t’u duhet rehabilitim më i gjatë. Për momentin nuk kemi një qendër specifikie, por megjithatë mendojmë për 2-3 opsione, do t’u njoftojmë sapo të marrim vendim si shtab i krizës”, deklaroi Taravari.
Pacientët që po kuron në spitalet e vendit, Taravari tha se të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë.