Nga: Kim Mehmeti
Gjatë më shumë se tri dekadave të kaluara të Shqipërisë pas socialiste, të gjithë sunduesit e saj, kush më pak e kush më shumë, kontribuuan që ajo të bëhet shtet ku ai që vjedhë një bukë për t’i ushqyer fëmijët të quhet hajdut e të përfundojë në burg, e ai që vjedh me miliona euro të quhet i korruptuar që ka shpërdorur detyrën.
Por për dallim nga gjithë sunduesit e mëparshëm, vetëm Piktori, pra vetëm përfaqësuesi i ‘aleancës së qelbësirave’, ia doli që Shqipërinë ta bëjë vend ku thuajse është e turpshme që të jesh funksionar e të mos vjedhës e të mos e zhvatësh popullin tënd.
Pra vetëm gjatë qeverisjes së ‘Rilindjes’, Shqipëria u bë vend ku ke përshtypjen se për t’u bërë pushtetarë duhet ta plotësosh vetëm një kusht – të jesh hajdut! U bë vend ku edhe brenda natës mund të bëhesh politikan i pasur dhe i fuqishëm, por vetëm nëse je i ardhur nga errësira e krimit.
Dhe jo vetëm sot por gjatë gjithë dekadave pas socialiste, Shqipëria ushqehej me premtime të kota e me gënjeshtra, por vetëm tani atë e drejtojnë ata që të ‘vërtetat’ publike që i thonë për vetveten janë gënjeshtra, e ‘gënjeshtrat’ që kundërshtari e tyre i thonë për ata janë të vërteta.
Shqipëria pas socialiste ka përballur sundues të shumëllojshëm, e që sot të përfundojë në duart e Piktorit, i cili përfundoi në burgun e ngritur nga gënjeshtrat për vetveten, me çka mëmëdheun e bëri vend ku krimi e hajdutëria jo që nuk janë të turpshme, por janë vlerë.
Kuptohet vlerë mbi të gjitha vlerat është krimi e hajdutëria që nuk zbulohen dhe me të cilat do mund të ushqesh sa më shumë këngëtarë, gazetarë, artistë…, me të cilin krim do i ushqesh elitat shqiptare dhe do investosh ne kalbjen e vendit. Pra do i financosh tallava vlerat e spektaklet që e bëjnë më të dendur mjegullën e amoralit që e qetësojnë popullin.
Gjatë dekadave të shkuara pas socialiste, Shqipërisë i mungonte thuajse gjithçka, përpos hajdutëve që njiheshin nga të gjithë ne të cil;t, për të mos e prishur rehatin e vet, shtireshim se nuk e dinim cilët janë. Me çka e mësuam popullin të jetojë i qetë në mosdijen e së keqes së dukshme që i ndodhte.