Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke e ftuar për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.
Takimi është propozuar për më 9 prill në orën 15:00, ose më 10 prill në orët 9:00 ose 14:00.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.
Kurti shkruan në fund se e “mirëpret” përgjigjen e Abdixhikut për këtë takim.
Nuk dihet nëse Kurti një ftesë të tillë u ka bërë edhe partive tjera opozitare.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar më herët Kurti.
Në media është publikuar letra e Kurtit dërguar Abdixhikut.