Letra për Abdixhikun, nga LDK “ia mbyllin derën” Kurtit: JO koalicion

Lidhja Demokratike e Kosovës “ia ka mbyllur derën” kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për një koalicion të mundshëm. Vetëm disa orë pas letrës që Kurti i dërgoi Kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku e ftonte për takim, zyrtarë të lartë të kësaj partie, kanë dalë me reagime, duke lënë të kuptohet se s’do të ketë një kaolicion mes këtyre dy partive. Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të këtyre reagimeve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është në kërkim të votave edhe për një mandat në krye të Qeverisë, i është drejtuar sot me një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, të cilin e ka ftuar për konsultim.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar parakrakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën, që u publikua sot në media.

Zyrtarisht ende nuk dihet nëse Abdixhiku i ka kthyer ende përgjigje Kurtit. Mirëpo, për këtë janë kujdesur nëpër studio televizive e postime në rrjete sociale zyrtarët tjerë të kësaj partie.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se tash e dy javë është konfirmuar qëndrimi i Kryesisë së LDK’së, që të mos ketë koalicion me Vetëvendosjen.

“Na jemi kah pjesa e fundit e takimit dhe ftesave, Kurti ka takuar të gjitha partitë. Për 72 orë nga takimi me deputetë me grupe parlamentare tek liderët është ndryshim radikal. LDK-ja në asnjë formë nuk ka pasur takime me Vetëvendosjen. Tash e dy javë është konfirmuar qëndrimi i kryesisë së LDK-së, qëndrim që është marrë para dhe gjatë zgjedhjeve. Ne kemi thënë para dy javësh “JO” për koalicion me LVV”, tha Haziri.

Letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut, sipas Hazirit, duhet vlerësuar politikisht.

“Kurti nuk është prej atyre politikanëve veç për të bë, veprimin e ka të mendum, akti ka ndodhë si i tillë, dhe duhet me vlerësu politikisht”, tha Haziri në Klan Kosova.

Një deklaratë që lë të kuptohet se s’do të ketë një koalicion mes këtyre dy partive e ka bërë edhe Nënkryetarja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili.

Sipas saj, Kurti për këto katër vite i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare.

“Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues”, ka shkruar ajo.

Ajo ka rikujtuar edhe ofendimet e Kurtit ndaj opozitës.

“Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë”, ka shkruar tutje ajo.

Me reagim ka dalë edhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Berat Rukiqi, i cili e ka nisur postimin duke kujtuar fjalorin që Kurti e përdori më 9 shkurt, ku iu drejtua opozitës si “hajvana”.

“Akti 1: Ju jeni hajvanë, hajna, tradhtarë, bashkëpunëtor të Serbisë

Akti 2: Krijo mjegull si pasojë e rezultatit fatal politik paszgjedhor: dështimit për të gjetur një partner të vetëm për qeverisje dhe shpërfaqjes së varësisë nga deputetë, që nuk kontrollohen në Kosovë

Akti 3: Hajde takohemi dhe bëjmë pazare. Po i harrojmë të gjitha. Me rëndësi pushteti”., thuhet në postim.

Ndërkohë, deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se qasja e Kurtit është e padenjë për demokracinë.

“Tani, kur si parti fituese nuk arrinë të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit. E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së.

Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve”, thuhet në postimin e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu