Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së PD dhe një nga strategët e fushatës elektorale të Presidentit të SHBA, Donald Trump, ka folur në emisionin “Opinion” në lidhje me bashkëpunimin e tij me partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.
Ai është pyetur se si krijoi lidhjet me PD dhe se çfarë e shtyu atë që të ishte pjesë e fushatës elektorale së PD për zgjedhjet e 11 majit.
Edhe pse thotë se ka patur informacion për Shqipërinë edhe më herët, kontakti i tij i parë ka qenë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Me këtë të fundit, LaCivita është takuar te Unioni Ndërkombëtar i Konservatorëve në SHBA, i cili i ka folur për situatën politike në vendin tonë.
LaCivita thotë se ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar kryetarin e PD, Sali Berishën dhe konservatorët.
Pjesë nga intervista
Fevziu: Zoti LaCivita, faleminderit shumë që jeni sonte me mua në këtë intervistë.
LaCivita: Faleminderit ju!
Fevziu: Si ka qenë udhëtimi juaj në Shqipëri?
LaCivita: Shumë i bukur. Ka qenë shumë i lehtë.
Fevziu: Po hapja e fushatës e partisë demokratike para dy ditësh?
LaCivita: Ka qenë shumë mbresëlënës. Tubimi, madhësia
Fevziu: Në ç’mënyrë?
LaCivita: Ishte emocionues. Njerëzit ishin shumë emocionues. Ishte shumë motivuese. Mendoj se ishin shumë të emocionuar për atë që mund të sjellë e ardhmja. Mund ta shikoje, mund ta ndjeje elektrizimin e njerëzve.
Fevziu: Ju mbajtët një fjalim te kjo mbledhja, por zakonisht puna juaj është në sfond…
LaCivita: Po…
Fevziu: Pse dolët në rreshtin e parë?
LaCivita: Kjo është një pikë shumë e mirë. Në Amerikë, por edhe unë personalisht preferoj të jem në sfond por ajo që është e rëndësishme, lidhur edhe me punën time… Jam këtu që të ndihmoj konservatorët, jam këtu që të ndihmoj Sali Berishën dhe dua të jem në gjendje të jap një mesazh ndryshe që do të jetë edhe aktual, duke menduar se çfarë ndodhi në Amerikë. Pra, jam krenar të ndihmoj në çfarëdolloj mënyrë që mund të ndihmoj, dhe ka qenë një nder që të më jepet mundësia ti drejtohem kaq shumë shqiptarëve në një aktivitet të tillë si i mbrëmshmi.
Fevziu: Por normalisht ju jeni një strateg, këshilltar dhe po ashtu e ndjeni këtë betejë…
LaCivita: Kam shërbyer në Amerikë si këshilltar strategjik. Po. Por po ashtu merrem edhe me komunikimin, me mënyrën se si komunikohet mesazhi. Merrem edhe me këtë gjë.
Fevziu: Si e zbuluat Shqipërinë? SI e zbuluat Partinë Demokratike të Shqipërisë?
LaCivita: Nëpërmjet miqve të përbashkët. Kam disa miq në kongres dhe në senat me të cilët ndajmë një mik të përbashkët. Fatmirin. U takuam në SHBA, te Unioni Ndërkombëtar i Konservatorëve. Isha duke mbajtur një fjalim aty. Filluam të diskutojmë për situatën në Shqipëri dhe disa prej pikave të përbashkëta midis Shqipërisë këtë vit dhe Amerikës vitin e shkuar. Kështu që ishte e lehtë…
Fevziu: Kishit ndonjë ide apo informacion për Shqipërinë përpara se të vinit këtu?
LaCivita: Po, para se të vija këtu doja të mësoja sa më shumë që të ishte e mundur. Shpenzova mjaft kohë duke lexuar për kulturën dhe historinë në mënyrë që të kuptoja edhe situatën aktuale politike.