Ibrahimi: Çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti-BDI-ja

Kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka komentuar përmes një shkrimi në rrjetet sociale gjendjen në VLEN, respektivisht vendimin e ASH-Taravari që në zgjedhjet lokale të shkojë me lista të veçanta për këshilltarë komunalë, ndryshe nga VLEN, që do të shkojë me lista të përbashkëta dhe me kandidatë të përbashkët për kryetarë të komunave. Sipas Ibrahimit, largimi nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti Europian, apo tek BDI-ja.

“Që nga viti 2016, shqiptarët nuk kanë pasur zgjedhje ku partitë e tyre kanë garuar të ndara. Atëherë u tha, me të drejtë, se ndarja e dobëson zërin shqiptar dhe e fuqizon një forcë që e ka ndërtuar pushtetin mbi përçarje. Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të Partisë Nongrata. Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa ekzegjeza politike. Ky është realiteti politik. Çdo individ ose subjekt ka të drejtë ta zgjedhë rrugën e vet, por ne kemi detyrim që qytetarëve t’ua themi të vërtetën. VLEN-i nuk është thjesht një projekt partiak, por është një përgjigje ndaj një nevoje të madhe historike – bashkimi për t’i dhënë fund një realiteti që shqiptarët nuk e duan më. Në këtë rrugë, qartësia, besnikëria dhe transparenca nuk janë luks, por janë vlera që ndërtojnë besim dhe garantojnë ndryshim”, ka shkruar Ibrahimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu