Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë godet Stambollin

Një tërmet është ndjerë pak më parë në Stamboll, në Turqi. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu.

Sipas një vlerësimi paraprak, tërmeti ka pasur magnitudën 6.2 dhe është regjistruar në Silivri, rreth 7 kilometra në perëndim të metropolit pranë Bosforit.

“Po ndjekim zhvillimet. Uroj më të mirën për të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti”, u shpreh presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke shprehur solidaritetin me të prekurit.

Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (Afad), në zonën e Stambollit janë regjistruar në fakt tre lëkundje tërmeti brenda pak minutash. Njëra më e forta me magnitudë 6.2 në orën 11:49 (sipas orës italiane, që është një orë pas Turqisë), e dyta me magnitudë 4.4 në orën 11:51 dhe e treta me magnitudë 4.9 në orën 12:02.

Për momentin nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar apo dëme në ndërtesa. Autoritetet po ndjekin nga afër situatën, raporton La Repubblica

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, ka konfirmuar në ‘X’ se “një tërmet me magnitudë 6.2 ka ndodhur në Silivri, në Detin e Marmarasë, në Stamboll”.

Sipas tij, lëkundjet janë ndjerë edhe në provincat përreth dhe “në lidhje me tërmetin, Afad dhe të gjitha ekipet e institucioneve përkatëse kanë nisur hetimet në terren” për të verifikuar dëmet dhe ndonjë viktimë të mundshme.

“I shpreh urimet më të mira qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Zoti e ruajtë vendin dhe kombin tonë nga fatkeqësitë”, shtoi ministri.

Qindra qytetarë kanë dalë në rrugë të panikosur dhe me lot në sy pas tërmetit me magnitudë 6.2 ballë që goditi paraditen e sotme Stambollin.

Sipas të dhënave të Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmeti me magnitudë 6.2 ballë, epiqendra e të cilit ishte në detin Marmara dhe lagjen Silivri të Stambollit, është ndjerë në Stamboll si dhe në provincat përreth.

Pas tërmetit, qytetarët u mblodhën në parqe dhe zona të hapura. Deri më tani nuk raportohet për njerëz të lënduar apo dëme materiale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu