Problemi më i madh nuk është as vetë Agolli, as ceremonia e varrimit të tij, as fjalimi i Ramës, as injoranca e ministrave dhe as shfryrja në rrjete sociale. Është paaftësia e plotë e shoqërisë sonë, për të mbajtur një qëndrim të konsoliduar për të shkuarën dhe për të mos e përdorur atë sa herë ka nevojë. Dhe sipas interesave të saj
Ikja nga kjo jetë e Dritëro Agollit, ka rihapur një debat të ndezur që në thelb ka qëndrimin ambig që kjo shoqëri ka mbajtur dhe mban ndaj të shkuarës diktatoriale në këto 26 vite të shoqërisë së lirë. Cili është qëndrimi që Shqipëria e pas 1990 duhet të mbajë ndaj asaj kohe dhe ndaj disa prej figurave dhe protagonistëve të saj? A ka pasur një opinion të qartë dhe të pranuar masivisht ndaj asaj kohe, apo jemi të gjithë peng i një keqkuptimi që ende nuk e sqarojmë dot?
Debati ka përfshirë emra të njohur të mediave dhe mendimit intelektual në vend, po ashtu si shumë qytetarë që kanë kthyer rrjetet sociale ne platforma të qëndrimeve të tyre kontradiktore. Duke ndjekur këtë debat, kam vënë re që të gjithë kanë të drejtë në qëndrimet dhe këndvështrimin e tyre. Por këndvështrimi i njërit nuk është se përjashton detyrimisht qëndrimin e tjetrit. Kjo situatë e komplikuar, bëhet edhe më konfuze nga paaftësia e shoqërisë demokratike shqiptare për të njohur dhe “dënuar” fenomenet negative të diktaturës. Por po i rikthehem debatit për Agollin. Debati është treplanësh:
Agolli si krijues dhe si funksionar i regjimit komunist në lidhjen e shkrimtarëve
Agolli si njeri politik në vitet e komunizmit dhe në ato pluraliste
Përdorimi politik i funeralit të Agollit dhe aftësia e politikës për të përdorur çdo gjë për interesat e saj të momentit, qoftë edhe vdekjen.
E para në diktaturë dhe konkretisht në diktaturën komuniste, shkrimtarët dhe artistët njiheshin si ndihmës të partisë. Siç kishte thënë Stalini ata ishin inxhinierë të shpirtërave njerëzore. Për drejtuesit komunistë të kohës, ata ishin propagandues të thjeshtë. Letërsia e pjesës më të madhe të tyre ishte militante dhe e angazhuar. Korpusi kryesor i artit, përfshi kinematografinë, pikturën etj thuajse nuk vlen. Për të mos thënë është mizerabël. Por edhe në këtë kohë, pati talente të veçantë. Disa arritën të mbijetojnë falë rrethanave, disa u ndëshkuan. Ne duhet ta pranojmë sot që korpusi më i rëndësishëm i historisë së letërsisë shqipe është krijuar nën diktaturë dhe është vepra e Ismail Kadaresë. Ne duhet të pranojmë që vepra të caktuara të Dritëro Agollit si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo “Zhurma e erërave të dikurshme” mbeten ende vepra tejet cilësore të letërsisë sonë. Agolli vetë ishte një poet, që për ironi, korpusion më të rëndësishëm poetik të tij e ka krijuar në vitet 1990 – 1996 dhe jo në komunizëm. Së paku këtë mendim kam përsonalisht duke rilexuar javën e fundit veprën e tij të zgjedhur poetike. Po në komunizëm është krijuar një nga veprat më të rëndësishme të arteve figurative shqiptare, “Epika e Yjeve të mëngjesit” e Edison Gjergos. Ndryshe nga Agolli apo Kadare autori i saj u burgos dhe më pas vdiq krejt i harruar rrugëve të Tiranës, por ai la një vepër që ende sot befason çdo koleksionist ndërkombëtar që e sheh. Shumë vite pas rrëzimit të komunizmit, ne nuk kemi arritur cilësinë artistike që ka pasur në ato vite dhe shpjegimin për këtë nuk e jep dot askush.
Artur Zheji ka të drejtë kur thotë që si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli ka përgjegjësi, qoftë edhe formale për dënimet, arrestimet, ndëshkimet e mëdha edhe pushkatimet e disa krijuesve. Por po kaq të drejtë ka edhe Pëllumb Kulla kur thotë, kush u bë hero në atë kohë që këtë heroizëm t’ja kërkoni Agollit apo disa të tjerëve. Problemi është, a ishte Dritëroi inisiator i këtyre dënimeve apo ai ishte thjeshtë një hallkë pa rëndësi në to. Dmth a ishte ai një zyrtar i zellshëm dhe militant që ka shtuar peshën e ndëshkimit me zellin e tij apo një njeri që ka tentuar ta moderojë atë? Mua më rezulton kjo e fundit. Po marr vetëm një rast. Qëndrimi që ai mbajti ndaj talenteve të reja më probleme biografike. Si një njeri që këtë e ka pasur edhe një problem personal, jam ndjerë tejet i prekur nga shkrimet e Shpëtim Nazarkos apo Preç Zogajt që rrëfenin se si në momente të caktuara, me mekanizmin e talenteve të reja letrare, një truk personal i tij, Agolli arriti të dërgojë në shkollën e lartë shumë njerëz të zotë që biografia jua mohonte këtë. Përfshi vetë Zogajn apo Mentor Nazarkon. Nazarko kujton se Agolli shkoi vetë në shtëpinë e tij dhe këndoi bashkë me të atin, duke nervozuar tej mase drejtuesit e strukturave të partisë së rrethit. Në ato momente, kjo ndihmë të kujton bashkëpunëtorët e nazistëve që pikërisht prej këtij bashkëpunimi arritën t’ju shpëtojnë jetën shumë hebrejve. Unë nuk kam qenë një prej atyre që u ndihmova nga Agolli. Nuk trokita në derën e tij. Po sot mund ta them që do t’ju jem gjithnjë mirënjohës, Fisnik Sinës, Ruzhdi Pulahës dhe Nasi Lerës që po falë këtij mekanizmi më ndihmuan që të shkoja në univesitet. Ishte një kohë e keqe dhe mirënjohja ndaj atyre që të ndihmojnë në kohë të vështirë duhet të shndrijë gjithnjë si margaritar.
Eshtë anormale që në Shqipërinë post komuniste, pak shkrimtarë të shquar, bëhen përgjegjës më shumë se sa vetë shefat komunistë për atë regjim. PO, në komunizëm duhej të bëje poezi për Enver Hoxhën, këngë apo tregime për partinë; duhej të bejë filma që i përgjigjeshin thirrjes së saj. Askush nuk mund të thoshte: nuk dua të bëj, nëse nuk mendonte ndëshkimin e frikshëm. Natyrisht, kjo nuk është një gjë që mund të konsiderohet as nder dhe as meritë. Ishte një instikt mbijetese, që falë talentit, disa e bënë më mirë e disa më neveritshëm. Por jam krejt kundër mllefit dhe lumit të sharjeve që në këto 25 vite kanë targetuar Kadarenë apo Agollin si e keqja e asaj kohe. Mund ta them sot se nëse kishte një oponencë, së paku estetike të socrealizmit, ai vinte nga vepra e Kadaresë. Sot duhet ta falenderojmë atë për veprën e tij dhe jo t’i sulemi asaj. Në këtë vend ku nuk është ndëshkuar asnjë përgjegjës direkt i komunizmit, ose është ndëshkuar për teprim kafesh, faji po tenton të gjehet tek artistët. Kjo nuk ka sens.
E dyta, Agolli si njeri politik në komunizëm dhe në shoqërinë e lirë, është një debat i mbyllur. Dritëroi ishte ndër shumë të paktët komunistë që i njohu publikisht gabimet e komunizmit dhe i adresoi ato. Fjala e tij në Kongresin e X do të kujtohet shumë më tepër se çdo angazhim i tij në komunizëm. Ajo është pika e tij e trokitjes në histori. Parlamenti Pluralist e ka pranuar atë pa ja përmendur më të shkuarën komuniste dhe ai mbetet një deputet i shoqërisë së lirë më shumë se sa i viteve të komunizmit. Këtë pastrim të së shkuarës ai e bëri vetë dhe pa ndihmën e askujt.
E fundit, përdorimi politik i funeralit të Agollit, është tipik i përdorimit politik që ndodh në këtë vend. Këtu Zheji ka të drejtë. Nuk e kam fjalën, për ata anëtarë të qeverisë që u shfaqën aty dhe që flisnin para kamerave pa lexuar asnjë rresht të Agollit. Po i amnistoj ata duke konsideruar që po përcillnin një deputet të rëndësishëm të partisë së tyre. I vetmi person që realisht kupton artistikisht në atë arradhë injorantësh estetikë është Edi Rama. Rama dhe Agolli kanë pasur vizione tejet të kundërta për artin dhe mënyrën se si bëhet ai. Këtu Zheji ka të drejtë. E kanë pasur jo në vitet ’80, por edhe më pas. Por me gjasë, edhe Rama është bërë ai Agolli i atyre viteve. Ai përshtatet me mirë me atë që mendon shumica, pra bën politikanin, se sa i qëndron ideve dhe opinioneve të tij. Ndryshimi i vetëm është se Agolli e bëri atë gjë në diktatorë, ndërsa Rama në një sistem të lirë. Por edhe këtu mund të gjehet një justifikim. Rama është njeri politik, ai duhet t’i përshtatet një ndjesie publike dhe e dyta, si kryetar i PS është i detyruar të nderojë një ish deputet dhe figurë të rëndësishme të saj.
Në fund të gjithë kësaj, besoj se problemi më i madh nuk është as vetë Agolli, as ceremonia e varrimit të tij, as fjalimi i Ramës, as injoranca e ministrave dhe as shfryrja në rrjete sociale. Është paaftësia e plotë e shoqërisë sonë, për të mbajtur një qëndrim të konsoliduar për të shkuarën dhe për të mos e përdorur atë sa herë ka nevojë. Dhe sipas interesave të saj.