Përfaqësuesit e komunitetit Samaritan dhe të krishterë në Palestinë mbështetën muslimanët dhe kritikuan ashpër nismën e Izraelit për ndalimin e thirrjes së ezanit me autoparlantë nga xhamitë gjatë natës, apo për namazin e sabahut, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni legjislativ i Knessetit izraelit miratoi ligjin që ndalon thirrjen e ezanit me autoparlant nga ora 23:00-07:00, e cila ka shkaktuar reagime të ashpra të bashkësisë muslimane dhe grupeve të tjera etno-fetare në rajon.
Rabini Samaritan Vasif al-Samiri, i cili jeton në Nablus të Bregut Perëndimor për AA tha se ishte i zhgënjyer me vendimin e Izraelit për kufizimin e ezanit. Ai fton muslimanët në lutje.
“Liria e fesë i është dhënë njeriut nga Zoti dhe askush nuk ka të drejtë të kufizojë. Përveç kësaj, përmbajtja e ezanit madhëron Zotin dhe jep mesazhe të paqes dhe shpëtimit. Ndalimi i ezanit është i pakuptimtë. Komuniteti Samaritan është apsolutisht kundër ndalimit të ezanit”, tha al-Shamir.
Duke theksuar se kundërshtojnë kufizimin e riteve fetare të muslimanëve dhe të krishterëve, ashtu sikur të tyre, al-Samiri tha se as pjesëtarët e komunitetit samaritan nuk mund të ndihen të sigurt aty ku ndalohet zëri i ezanit.
Kreu i Patriarkanës Ortodokse Greke në Sebastia të Bregut Perendimor Theodosios, ka thënë se edhe komuniteti i tij është kundër përpjekjeve izraelite për ndalimin e ezanit.
“Ezani është krejtësisht temë fetare. As Parlamenti, as Këshilli Legjislativ nuk kanë të drejtë të diskutojnë dhe të ndalojnë ezanin në Jerusalem apo në cilin do vend tjetër në botë”, ka thënë Theodosios.
Duke theksuar se kërcënimi i kufizimit të lirive fetare paraqet rrezik edhe për popullatën e krishterë, Theodosios tha se kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe se kjo është edhe një tregues i qartë “i racizmit izraelit”.
“Jerusalemi është qytet i palestinezëve muslimanë dhe të krishterë dhe askush nuk ka të drejtë që të ndryshojë identitetin e tij. Pushtuesit izraelitë duhet të kuptojnë se ne të krishterët kurrë nuk do të braktisim vëllezërit tanë muslimanë në luftën kundër racizmit dhe fashizmit”, tha Theodosios.
Anëtarja e Këshillit drejtues të Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe udhëheqësja e Komitetit palestinez për Çështjet Fetare, Hanna Amireh tha se përpjekja e Izraelit për ndalimin e ezanit është shkelje e rëndë e të drejtave fetare dhe se tregon fytyrën e vërtetë të politikës pushtuese izraelite.
Amireh i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe të bëjë presion ndaj Izraelit që të fillojë të respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut.
Nën pretekstin se qytetarët ankohen për zhurmën, autoritetet izraelite më parë kanë përgatitur një projektligj i cili parashikon ndalimin e ritualeve të zëshme fetare, me qëllim të ndalimit të ezanit, por duke kuptuar se kjo mund të jetë një problem edhe për disa rituale hebreje, politikanët izraelitë kanë reviduar ligjin duke propozuar ndalimin e thirrjes së ezanit nga ora 23:00 deri në 07:00 të mëngjesit.
Drafti është në procedurë parlamentare, kurse në versionin final parashikon ndalimin e ezanit gjatë namazit të sabahut. Në rast të implemetimit të këtij ligji xhamitë që nuk respektojnë ligjin do të gjobiten nga 1.200 dollarë.