Firmat e deputetëve të BDI-së, pas përmbushjes së platformës (VIDEO)

BDI-ja e ka marrë seriozisht në diskutim çështjen e ofrimit të nënshkrimeve të saj LSDM-së.

“Alsat-M” mëson se po diskutohet për modalitetet në këtë kuadër, dhe sipas informativa, garancia e vetme që kërkohet për ndërmarrjen e kësaj mase, është ajo e përmbushjes së platformës së përbashkët shqiptare, por veçanërisht ligjit të ri për përdorimin e gjuhës shqipe nga partia e Zaevit.

Modalitetet janë kërkuar në takimin e gjatë deri pas mesnate në BDI, por edhe takimeve të reja sot mes nënkryetarëve të BDI-së që janë njëkohësisht edhe anëtarë të grupit të punës të kësaj partie në bisedimet me LSDM-në.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se partia e tij nuk do të shpejtoi për të marrë një vendim kurse konfirmoi takimin që ka realizuar me kreun e LR-PDSH-së Ziadin Sela në lidhje me dokumentin e LSDM-së.

“Të gjitha gjërat janë duke u analizuar. Mendoj qw në të ardhmen do të ketë një përgjigje konkrete. Këto janë çështje të cilat bisedohen në kuadër të partisë por unë ju siguroj se aty bomba atomike nuk prodhohet.

Sigurisht që bisedohet për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ne jemi duke biseduar edhe me partitë tjera politike sepse duhet të formojmë mendim të përbashkët edhe me partitë politike. Me z. Sela jam takuar dhe sigurisht që kemi këmbyer mendime”, deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Në diskutim e sipër është edhe formati i ri i ligjit për përdorimin e shqipes, i cili duhet të jetë jo vetëm në përputhje me kushtetutën, amendamentin V të saj, por njëkohësisht edhe interesin e shqiptarëve që përkufizimi “gjuha që përdoret nga 20% e popullatës” të ketë një lidhje konkretizuese me termin tjetër “gjuha shqipe”.

Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe ajo që e folura e shqipes në institucione, të respektohet edhe në të shkruar.

Kur çështja e ligjit të shqipes të jetë pranuar nga të dyja palët, ajo shqiptare BDI e LR-PDSH si dhe ajo maqedonase e LSDM-së në bisedime, atëherë partia e Ahmetit pritet të thërrasë edhe kryesinë e saj për të marrë vendimin rreth nënshkrimeve.

Pas kësaj faze bisedimet për pjesën e mbetur me LSDM-në do të vazhdojnë sa i takon resorëve dhe emrave të rinj që do të zënë postet qeveritare. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu