Zaev: Do të pranojmë çdo gjë brenda kushtetutës; Arifi: Ka vullnet për t’u arritur një marrëveshje

Pas konsultave brendapartiake, BDI i ka kthyer përgjigje LSDM-së në formë të shkruar, ndërsa kjo e fundit po shqyrton të njëjtat, konfirmoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai u zotua se do të jetë e pranueshme gjithçka që do të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Grupet tona të punës i shqyrtojmë dhe sapo të kemi informacione do t’ju njoftojmë. Për ne është e pranueshme gjithçka që është në korniza të Kushtetutës dhe ajo që përfaqëson përdorim praktik të qytetarëve të përkatësisë shqiptare, gjithsesi duke pasur parasysh edhe aspektin e nevojave të qytetarëve edhe të bashkësive tjera. Besoj se do të gjendet zgjidhje. Nuk mund të them se sa do të zgjasë, sepse në këtë mes nuk jemi ne ata që duhet të vendosim, por presim vendim final nga BDI”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Grupet e punës në BDI disa ditë me radhë i kanë shqyrtuar materialet të cilat ua dërgoi LSDM ditë më parë. Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, beson se do të tejkalohen dallimet për t’u arritur një marrëveshje.

“Normalisht që çështja e përdorimit të gjuhës, por edhe e platformës së partive politike shqiptare, është shumë e rëndësishme jo vetëm për BDI-në, por për të gjitha partitë shqiptare dhe shpresojmë që të ketë reflektim të drejtë, duke pasur parasysh faktin që integrimi euroatlantik i vendit varet shumë nga ajo se si do të ecë formimi i Qeverisë së ardhshme. Unë këtë atmosferë të bisedimeve e kam vlerësuar si konstruktive. Ka zgjatur më shumë meqenëse ka pasur shumë detaje dhe dëshira në kuptimin e tejkalimit të dallimeve, por jam shumë e bindur se vullnet të përbashkët ka për të arritur një marrëveshje”,- tha nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.

“Aleanca për shqiptarët”, ndërkohë, këmbëngul se mandatari i ardhshëm duhet të pranojë në tërësi deklaratën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare si parakusht për t’i dhënë mbështetjen. Këtë qëndrim lideri i LR-PDSh-së, Zijadin Sela, ia përcolli sot edhe ambasadorit, Italian Carlo – Romeo.

Nga Lëvizja “Besa” ende presin të marrin dokumentin e LSDM-së e më pas të dalin me qëndrim për të njëjtin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu