BESA: Kemi komunikim normal me politikanët shqiptarë, por jo me ata që janë më “shka se shkau”

Lëvizja BESA njihet si parti e qëndrimeve parimore dhe konsisente, andaj kjo ka ngjallur nervoz te partitë e tjera jo parimore, që votat i marrin duke sharë pushtetarët, ndërsa pas zgjedhjeve bëhen bashkë në aleanca të ndryshme e krejt të panatyrshme, shkruajnë mediat shqiptare në Maqedoni.

“BESA nuk e ka kompleks fare, e as nuk ndjehet inferiore të diskutojë edhe me politikanë maqedonas, por BESA e sheh të paarsyeshme të ulet me ata që janë deklaruar dy herë “shkije”, pra me gojën e vetë kanë thënë se janë “më shka se shkau”, këtë gjë të gjithë e dëgjuan në përgjime. Pra, kemi komunikime normale me partitë shqiptare për çështje që kanë të bëjnë me interesin shqiptar, por jo me ata që deklarohen dy herë maqedonas”, – kanë deklaruar nga BESA burime jozyrtare, dhe kjo mendohet të jetë ajo që ka alarmuar BDI-në, kundër kësaj Lëvizje.

Ndërsa, BESA dje përmes një komunikate për media lidhur me Tryezën e Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni kishte thënë: “E vërteta është se, në relacion me Tryezën e Partive Parlamentare Shqiptare në Maqedoni, qëndrimi i Lëvizjes BESA ka qenë se nuk pranon takim që iniciohet me ftesë të kryetarit të BDI-së në Shkup dhe kjo ka qenë e njohur për opinionin. Ai që ishte fajtori kryesor që BESËS iu morën dy deputetë për t’iu dhënë VMRO-së dhe i cili për 15 vjet e nëpërkëmbi interesin shqiptar, për çka flet edhe përmbajtja e Deklaratës (që erdhi vetëm pas paraqitjes së BESËS në skenë), dhe ai që nuk ka më legjitimet të përfaqësimit të shqiptarëve, nuk është i denjë as të ftojë takim të partive shqiptare në Maqedoni. Ai mund të jetë kryeplak për ndonjë parti a aleancë tjetër, por për neve ai është Kryefajtori i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni.

Për këtë arsye, nismat e tilla, gjoja në emër të interesave madhore shqiptare, por duke abuzuar me Tryezën, për neve janë qëllimkëqija dhe synojnë vetëm rehabilitimin e atyre që për 15 vjet rresht e kanë rrënuar skajshmërisht interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Atij që mund t’i duhen takime publike me BESËN, që si Pilati t’i lajë duart nga krimi, ne nuk mund t’ia mundësojmë këtë kënaqësi.
Për këtë arsye, derisa nuk ka nismë për konvokimin e Tryezës sipas saj që jemi marrë vesh, kjo i bie se ajo nuk do të organizohet fare. Rrjedhimisht, takimet që bëhen në emër të Deklaratës, më shumë u ngjajnë bisedimeve për koalicionin e ardhshëm BDI-Aleanca sesa që mund të jetë Tryeza e dakorduar me Deklaratën. Kjo për faktin e thjeshtë se Tryeza as që është konstituuar ndonjëherë, por ato janë takime që kanë filluar në “A. Palace” dhe që vazhdojnë ndërmjet partive të sipërpërmendura dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë të ndërhyjmë në bashkëpunimin e tyre.
Megjithatë, kjo nuk e pengon implementimin e Deklaratës, ngase Lëvizja BESA nuk ka hequr dorë nga mbështetja e Deklaratës dhe kurdoherë që pikat e saj do të vijnë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët e saj do t’i mbështesin ato”, – thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu