Protesta para Ambasadës së Maqedonisë në Tiranë: “Mos kini frikë nga gjuha e Nënë Terezës”

Sot në Tiranë është mbajtur një protestë para Ambasadës së Maqedonisë në Shqipëri, me sloganin “kundër diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni”.

Pjesëtarët e Forumit Rinor të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), kanë protestuar pas zhvillimeve të fundit në Maqedoni, ku presidenti i vendit refuzoi të mandatojë kreun e partisë Lidhja Social Demokratike të Maqedonisë për krijimin e qeverisë.

Protestuesit kanë mbajtur në duar flamuj të Shqipërisë, si dhe pankarta me mbishkrimet “Shqiptar përjetë”, “Jam krenar që jam shqiptar”, “Bashkëjetesë dhe barazi”, “Një komb një qëndrim”, në shenjë solidariteti me shqiptarët e Maqedonisë.

Kujtojmë se Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk ia dha mandatin kryetarit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev me pretendimin se “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas dhe kërcënohet shteti unitar dhe sovraniteti”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu