Delegacioni i prirë nga kryetari Visar Ymeri, deputetja, Aida Dërguti, deputeti Albin Kurti e kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka qëndruar edhe në dhomën e jasharajve, ku është pritur nga përfaqësuesi i familjes, Murat Jashari, shkruan Periskopi.
Përfaqësues të Vetëvendosjes kanë gjetur dyert e hapura te familja Jashari vazhdimisht.
Dje në media qarkulloi e u komentua veprimi i familjes Jashari për të bojkotuar organizimet institucionale me rastin e 19-vjetorit të flijimit të familjes Jashari.
Po ashtu, familja Jashari nuk ka pritur në konak presidentin, kryeministrin e as kryetarin e Kuvendit.
Ka disa vite që familja Jashari është distancuar me njerëzit në pushtet, megjithatë këta të fundit vazhdojnë të thurin lavde mbi sakrificën e jasharajve.
Një video vetpromovuese e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli qarkulloi dje në media e rrjete sociale, me rastin e Epopesë së UÇK-së. Megjithatë, familja Jashari ka mbyllur dyert edhe për të. /Periskopi