‘’Të jesh vetë i edukuar dhe i ditur është çështje individuale, por të edukosh dhe të mësosh të tjerët është edhe patriotike ‘’Prof.dr.Zeqir Kadriu
Sot është një ditë madhështore për popullin shqiptar është festa e mësuesit. 130 vjet më parë, më 7 mars 1887, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës shqipe. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike. Konsiderohetsi një fitore për popullin shqiptar, pasi deri atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyre të fshehtë. Shkolla qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Historia e popullit shqiptar përmban mijëra diamante, xhevahire, visare që rrethanat tragjike i’a kanë zhdukur, i’a kanë groposur në varre të thella, i’a kanë lënë në harresë, i’a kanë lënë pas dore dhe kjo begati na servohet si një pjatë pa ushqim si një tryezë e thatë,që në atë tryezë nuk ka as bukë e kripë, e prangosur ,e shkatruar e sakatosur, e palarë .Një pjesëz e kësaj pasurie kombëtare është edhe familja e madhe nga Manastiri Qiriazi, me veprimtarët e saj të shquar: Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Parashqevi Qiriazi, Sevasti Qiriazi.
Çdo vit festohet kjo festë madhështore çdo vit na përkujton shumë mësues që patëm fatin t’i kemi. Sa nostalgji për kohën e kaluar në bangat shkollore, sa kënaqësi kur vinte mësuesi në klasë e kur të gjithë nxënësit e uronin, sa respekt, sa mirësi, sa dashuri!
Fjala MËSUES, sa bukur tingëllon në vesh, sa e ëmbël është kjo fjalë nuk ka ëmbëlsirë që mund ta krahasosh, sa fisnike, sa e shtrenjtë nuk mund të blihet me para, madhështore, sa kombëtare aq edhe njerëzore. Këtë fjalë duhet ta shkruajmë me shkronja të arta vetëm me shkronja të arta as me bronz as me diçka tjetër, me ato shkronja që gjatë historisë u përgjakën, me ato shkronja që udhëtuan shtigjeve të historisë nëpër rrugë të rrezikshme, si thesari më i çmueshëm që u shkri për shkollë, dritë e dituri. Ashtu, siç ishte e vështirë dhe e mundimshme rruga historike e popullit tonë që u derdh shumë gjak, po aq e rëndë dhe plot me gjemba trëndafilash ishte edhe rruga e shkollës shqipe, sikur kjo rrugë të mos e njihte gjakun e gjembat e trëndafilave, sikur kjo rrugë të mos e njihte pelinin por ta njihte vetëm mjaltin dhe vetëm rrugën e shtruar me petale trëndafilash.
Kjo rrugë e gjatë, duke nisur nga përpilimet e alfabeteve, botimet e teksteve shkollore, deri te hapja e shkollave shqipe, gjatë historisë përjetoi momente nga më të ndryshmet nga më të egrat. Kjo rrugë ndonjëherë rridhte shpejtë, ndonjëherë rridhte më ngadalë, e ndonjëherë nuk rridhte aspak as një pikë uji, por asnjëherë nuk u kthye prapa, na solli deri këtu ku jemi sot. E gjithë kjo që jemi ne sot nuk ishte e lehtë të arrihet duheshte shumë punë, mund po edhe gjak, pati shumë ndalesa libri shqip atë nuk e donin, pse të mësonin shqiptarët shqip? Më mirë do ishte gjuhë të huaja të mësonin?! Mësuesit tanë nuk u ndalën kurrë ata u bënë roje, u bënë ushtarë vetëm e vetëm të mos merret libri shqip nga dora, poetët pas çdo vargu poetik të tyre, në vend të shenjave të pikësimit u desh të venë mina, bomba, për ta mbrojtur qenien e vet, për mos ua marrë askush të drejtën e tyre.
Tani me gojën plot themi se shkolla shqipe frymon lirshëm, e si duket, e kaloi përgjithmonë atë errësirë pafund , në tunelin që ishte vetëm i zi e në fund doli një dritë e ajo dritë u bëftë gjithmonë sa më e madhe u bëftë Dritë e Diturisë.Tani kur shikojmë se shkollat tona hapërojnë me kohën gjithmonë duhet t’I kujtojmë ata mësues që dhanë edhe jetën për këto shkolla shqipe. Në këtë kohë , nxënësit dhe studentët shqiptarë flasin e lexojnë në shumë gjuhë të huaja, si nevojë e kohës dhe e globalizimit të dijes e shkencës,teknologjisë, duhet të vazhdojnë ta flasin e ta shkruajnë këtë gjuhë të bukur, gjuhën e kulluar, gjuhë të shtrenjtë sepse ajo u fitua me shumë sakrifica.Mësuesit e parë lanë borxhin, tani është koha jonë.
’’Çdo brez duhet të ketë stafetën e dijes t’ia dorëzoj të tjerëve,gjithmonë sa më përpara,por shkenca duhet të jetë si mbarim brenda stadiumit ku secila gjeneratë duhet ta sjellë më përpara se ku e mori stafetën e dijes’’ profesor Françesko Altimari!
Mësuesit tanë bënë shumë për ne tani është koha që të tregojmë ne veten tonë. Vetëm me punë serioze, me dashuri për dije e shkencë dhe vendosmëri në garën edhe me të tjerë, për t’u ngjitur majave më të larta të suksesit por atyre sukseseve që vijnë me etje për dije, sa bukur të jemi vetëm të etur për dije.
Respekt, dashuri,lavdi mësuesve që nuk jetojnë më, që nuk e kemi mundësinë t’i takojmë edhe njëherë të paktën, festofshin me engjujt nga lart!
Gëzuar festën të gjithë atyre mësuesve që e kanë kryer këtë mision qofshin të lumtur deri në fund të jetës ata dhanë shumë mund gjatë gjithë jetës!
Gëzuar të gjithë mësuesit që edhe sot janë në krye të kësaj detyre, gëzuar festën mësuesve të rinj sot ‘’stafeta e dijes’’ është te ju të nderuar, duhet ta dërgoni gjithmonë sa më para!
Gëzuar të gjithë mësuesit e kombit tonë kudo që jeni!
JU faleminderit për gjithçka!